Sokol Balla: Ilir Meta themeloi sonte Hamasin e tij

#NËRADAR


Nga Sokol Balla

Sonte ishte i qetë. Bipolarizmi i Ilir Metës sot prodhoi versionin e tij të qartë, ose më saktë tregoi se klithmat e tij të javëve të shkuara, ishin të kalkuluara. E kam shkruar që në nëntë korrik se çfarë do të ndodhë me të (lexoje shkrimin këtu). Ilir Meta po kthehet në politikë. Sonte ai shpalli krijimin e partisë së Referendumeve. Dhe kush mendon se unë po bëj lojëra fjalësh, e ka gabim. Që kur Ilir Meta takoi Erdogan në korrik sivjet, diçka ndryshoi tek ai. U bë sovranist, nacionalist, radikal. Sonte ai kërkoi që populli të vendoste dhe jo Gjykata Kushtetuese, nëse dekretet e tija janë kushtetuese. Pra Ilir Meta u bë edhe populist.


Dhe nuk e ka gabim. Ai tha se sistemi i partive ka vdekur. Në rastin më të largët, sigurisht ai është vjetëruar. E ka humbur kontaktin me njerëzit dhe ndofta dhe fjalimet tre orëshe të Kryeministrit e tregojnë këtë. Ndërsa Ilir Meta sonte s’foli as 30 minuta. Si për të treguar diferencën mes tij dhe të “vjetërve”. Përfshirë edhe ish-partinë e tij, që tani ja ka lënë familjes, fiks si një shtëpi e vogël, plazhi në Lalëz (jo tamam vilën që ai realisht ka atje). Ilir Meta po realizon atë që tha dy vjet e gjysëm më parë, në takimin e lamtumirës me LSI. Kur paralajmëroi se nëse do ta keqpërdornin, ai si Ariel Sharon do krijonte një parti të re dhe do rikthehej fuqishëm në politikë. Gjithsesi lajmi sot ishte se edhe Ilir Meta vetë është i bindur, se Presidenti Ilir Meta e ka tashmë kohën të limituar. Dhe i duhet të lëvizë.

Ashtu siç po lëvizin dhe të tjerë. Albin Kurti zbarkon në Tiranë në ditën e Pavarësisë dhe ka thirrur tubimin e parë politik në Shqipëri. Ralfi i vogël i LSI po mbështet dhe ai një nisëm referendare për momentin, por që mund të kthehet në lëvizje politike. Në vend ka një pritshmëri se SPAK e BKH do spastrojnë politikën nga të korruptuarit dhe kjo mund të sjellë bashkë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, edhe reformizëm radikal të partive politike në vend. Ilir Meta shpalli sonte, krijimin e Partisë Radikale. Dhe dha përshtypjen më të plotë se përse e paska dashur Presidencën. Një lavanderi politike, për t’u rikthyer pas rënies së Republikës së Parë. Ndaj evokoi dhjetorin e dytë dhe u paraqit si shpresa e vetme e Rilindjes së vendit. Një rilindje pa të huaj, por me sovranistë, pa Europë, por me nacionalistë, pa institucione, por me radikalistë. Një Turqi, Një Hungari. AKP apo Firdezs. Një vend me mure për jashtë, por pa mure Brenda. Dhe një zot: Ilir Metën. Por a është kjo një risi politike dhe morale?

Jo. Ilir Meta kërkon një vend pa gjykata të reja. Ai kërkon sërish gjykata politike (referendumet ashtu janë). Ilir Meta kërkon Sundimin e Ligjit dhe jo të ambasadave. Ai kërkon të marrë mbrapsht sovranitetin e dhënë BE, NATO dhe multinacionaleve politike ku bëjmë pjesë prej 30 vjetësh. Pra kërkon kthim prapa. Ilir Meta kërkon Dhjetor të dytë. Pra ai e quan të dështuar Dhjetorin e parë. Dhe këtu ai shfaqet regresiv, reaksionar, antihistorik dhe konservativ. Një zgjatim i mërzisë që ai pati si pjesëmarrës me “mik” dhe jo nga protestat në takimin e studentëve me Ramiz Alinë, atë natë të ftohtë dhjetori kur kalkulimet ku ai dhe ndonjë tjetër bënin pjesë, u prishën nga vrulli i studentëve të dhjetorit. Sot Ilir Meta mendon se ka ardhur koha e hakmarrjes finale ndaj Dhjetorit. Dhe këtu shfaqet sërish radikal dhe i egër. Por në fakt thjesht mbron veten e tij dhe racën e tij në politikë.

Sepse kjo është e vërteta e Ilir Metës dhe hamasit të tij politik. Paralajmërimet e tij si burrë shteti i ka marrë tashmë lumi. Ai nuk ikën më siç kishte premtuar “po t’ia përmendte shkeljet Komisioni i Venecias”. Ai kërkoi sonte mosnjohjen e këtij komisioni. Ai nuk i vë më shpatullat krizave, por nxjerr popullin përballë. Ai nuk prodhon më individë me integritet, por kamikazë si Besnik Muçi. Ai nuk do më mandate deputetësh, por kërkon njerëz në shesh. Sepse në kushtet e një vakuumi mpirës mes votuesve dhe partive, ai mendon se ka gjetur mburojën elektorale të krizës së tij. Ndoshta sepse e di, se Doktori 8 vjet rresht u mbrojt nga ndërkombëtarët me 30 përqind të zgjedhësve që votonin PD. Dhe se për këtë 3 përqind të LSI, nuk i mjaftojnë më. Ilir Meta zgjodhi të kthehet sonte në politikë, jo se ka një zgjidhje radikale për vendin, por për veten e tij. Ai nuk themeloi Partinë Radikale, por ngriti Hamasin e tij. Ai nuk kërkon paqen, por sherrin. Faudën, siç e quajnë izraelitët dhe palestinezët. Ose një nga fjalët e pakta për të cilën bien dakord të dyja palët. Dhe sherri është një fjalë e vjetër në fjalorin tonë politik. Ilir Meta shpesh në 30 vjet i ka dhënë kësaj fjale një kuptim të plotë.

Edhe në këtë pikë, Ilir Meta mbrëmë nuk tha në thelb një gjë të re. Ishte antihistorik, si në çdo gjë tjetër të tij këtë vit. Në 8 dhjetor ai pret t’i mblidhen mijëra njerëz dhe opozita me bujari mund t’ja ofrojë këtë luks. Por do jetë një zi kolektive. Sesi 29 vjet më pas, idealet e dhjetorit nuk do jenë thjesht të parealizuara. Atë ditë ata që do mblidhen, do shpresojnë të festojnë funeralin e tyre. Por idealet thonë nuk vdesin shpejt.

Viti 2020 është një vit prove. Në gjuhën e Okulistikës termi “2020” do të thotë shikim optimal. Në gjuhën tonë, do të thotë 30 vjet tranzicion. Në gjuhën e Reformës do të thotë SPAK e BKH. Ndërsa Ilir Meta nuk e ka fare në fjalorin e tij, sepse ai nuk sheh para në antihistoricizmin e tij. Për të në 8 dhjetor, fillon numërimi mbrapsht.

Në një farë mënyre, e vetmja gjë për të cilën ka të drejtë. Numërimi prapësht ka filluar. Për të gjithë. Thjesht Meta ka vënë (vetë) gurin e parë. / Real Story




Skip to toolbar