Meta në Bosnje, thyen bojkotin shqiptar. Krijon një parti të re?

#NËRADAR



Presidenti Ilir Meta ka thyer bojkotin e shqiptarëve ndaj samitit të SEECP për shkak të mospjesëmarrjes së Kosovës. Qeveria shqiptare njoftoi se nuk do të merrte pjesë në këtë samit në shenjë solidariteti me Kosovën. Por krejt ndryshe nga ky qëndrim zyrtar i qeverisë shqiptare, ka vepruar presidenti Ilir Meta i cili ka shkuar në Bosnje për të marrë pjesë në samit, si i vetmi shqiptar atje.

I dëshpëruar për kontakte ndërkombëtare, Meta është takuar me Erdogan, me të cilin ka shpeshtuar bisedimet. Erdogan është i njohur për mbështetjen që i jep formacioneve të njerëzve të fortë politikë. A po siguron LSI një suport për erën post presidencë të Metës? Burime shumë konfidenciale i thonë realstory.al se nuk është ky rasti, megjithëse Meta në samitin e SEEPC është shfaqur në krah të presidentit të Turqisë, Erdogan.


Kryemadhi ka deklaruar se Metës që të marrë sërish partinë (LSI) i duhet të futet në garë me të.

Por si duket në kokën e Metës është diçka tjetër: një parti politike, nëse gjithçka dështon dhe ai largohet. I ndërgjegjshëm se LSI e ka kryer misionin e vet; i ndërgjegjshëm se nuk mund të bëhet qesharak dhe të sfidojë bashkëshorten në garë partiake, ose më saktë qëllimisht duke dhënë këtë ide. Ilir Meta nëse nuk arrin të kapet pas karriges së presidentit, do kërkojë një sfidë të re politike. E pat paralajmëruar këtë në fakt kur i dorëzoi Petrit Vasilit partinë: “Nëse nuk ecni mirë, do kthehem në politikë si Ariel Sharon, do krijoj parti të re dhe e sigurt që do ju mund”, pat thënë atëherë me shaka.

Po si duket nuk paska qenë ashtu. Dhe modeli është i gatshëm. Një parti presidenciale si AKP e Erdogan. Një model i ngjashëm me çiftin Milosheviç-Markoviç që kishin dy parti, njëri nacionaliste tjetra “liberale” me objekt të rinjtë (të preferuarit e Kryemadhit) , por më shumë modeli turk. Ndaj dhe takimet e tij me Erdogan, qoftë dhe me koston të duket si grevëthyes e të marrë pjesë në një samit të bojkotuar nga shqiptarët, si ai i Bosnjes.

Fundja, më mirë shok me Erdogan, sesa dashnor i heronjve sovietikë.

Më herët, para se të takonte Erdogan, Meta publikoi një foto me dorën në Kushtetutë dhe shkruante “Shqipëria e para”, njëlloj si slogani i Trump. Mos ndoshta ka në mendje krijimin e një partie anti-Soros si e Trump? Një parti nacionaliste, e ngjashme me Firdez të Orban, të cilin e lavdëroi aq shumë në konferencën e famshme për shtyp.

A ishte pjesë e çmendjes së qëllimshme të presidentit, mesazhi ndaj ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve për krijimin e një Firdezi, një AKP, apo një lëvizje anti-Soros nacionaliste në Shqipëri?

Meta beson se PO. Se e majta e LSI është pragmatiste dhe si e tillë ajo shuhet larg pushtetit. Se e djathta e PD po shuhet nën Bashën dhe se Doktori është mjaftueshëm i vjetër për t’i dhënë asaj një dorë për ringritje. Dhe këtu ai rihyn në lojë. Si Anteu pas rënies në Toke, si Feniksi pas djegies, ai pas ikjes nga presidenca formon partinë e re. Jo me Monikën por me Klajdën, jo me Petritin, por me Tur Zhejin, jo me Balliun por me Fahriun. Dikush mund të thotë, siç thonë francezët: Një gjellë e vjetër në pjata të reja. Por Meta është njeri i surprizave. Me ingredientët e duhur, sidomos financiare mund të jetë një gjellë e re në pjata të vjetra. Diçka mes gulashit dhe imam-bajalldisë, mes qetësisë dhe dalldisë. Një surprizë, si Ilir Meta./Realstory.al