Incident pranë territorit të NATO, avionët luftarakë rrëzojnë një dron mbi Lituani, dyshohet se ishte rus!

BOTA


Një dron që kishte shkelur gjatë natës hapësirën ajrore të Lituanisë është rrëzuar nga avionë luftarakë të NATO-s, bëri të ditur presidenti lituanez Gitanas Nauseda.

“Një dron që shkeli gjatë natës hapësirën ajrore të Lituanisë u rrëzua shpejt nga avionët luftarakë të NATO-s”, shkroi Nauseda në platformën X, pa specifikuar se cilit shtet i përkiste mjeti fluturues. Presidenti lituanez e lidhi incidentin me përshkallëzimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Ndërsa Rusia intensifikon agresionin e saj kundër Ukrainës, një gatishmëri e tillë është jetike për rajonin tonë. Së bashku me aleatët tanë të NATO-s, Lituania do të mbrojë hapësirën e saj ajrore”, deklaroi Nauseda. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, falënderoi aleatët e NATO-s për praninë dhe mbështetjen e tyre.

“Falënderimet tona më të sinqerta shkojnë për aleatët, prania e të cilëve ndihmon në mbrojtjen e qiejve tanë dhe forcimin e sigurisë sonë”, shkroi Budrys në X. Sipas tij, NATO mbetet vigjilente, e angazhuar dhe e gatshme për t’u përballur me kërcënime të mundshme.

Sipas transmetuesit publik lituanez LRT, i cili citon Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Krizave, droni u rrëzua në një zonë rurale pranë liqenit të Kaunasit, në pjesën qendrore të Lituanisë. Autoritetet nuk kanë dhënë deri tani detaje të tjera mbi origjinën e dronit apo misionin e tij.

Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të larta në krahun lindor të NATO-s, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe vendet baltike kanë rritur masat e sigurisë përballë kërcënimeve të mundshme nga Rusia.



Skip to toolbar