Investimi 2 milionë USD, shembet Komisariati i përuruar në janar 2019

AKTUALITET


Pa kaluar as 5 muaj nga përurimi i komisariatit nr. 6 në Tiranë, një investim rreth 2 milionë dollarë i qeverisë shqiptare, janë pikasur shenjat e para të punimeve të dobëta, pasi ka pasur shembje të vogla të hyrjes kryesore të godinës. Incidenti ka ndodhur dje, por fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar. Megjithatë, shembja e hyrjes së komisariatit ngre shumë pikëpyetje për faktin se tenderi për realizimin e ndërtimit të ri është fituar nga kompania Fusha shpk dhe nënkontraktor i punimeve ka qenë kompania “Eco Construction & Partners”, e cila në atë kohë drejtohej nga Orest Sota, personi që u arrestua me 800 mijë euro, (sot është në gjendje të lirë), dhe dy patentat e ish-ministrit të brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri. Por edhe kompania Fusha shpk ka qenë disa herë në qendër të vëmendjes, pasi është një nga kompanitë lider për fitimin e tenderave sidomos në Bashkinë e Tiranës, ku mund të përmenden rasti i Teatrit Kombëtar dhe parku pas stadiumit “Qemal Stafa”.

Tabela e punimeve në Komisariatin nr. 6

Punimet për ndërtimin e komisariatit nr. 6 në Tiranë nisën që në vitin 2017 dhe konkretisht kapnin vlerën 219 milionë e 483 mijë lekë të reja.

Sipas kontratës së lidhur mes kompanisë që fitoi tenderin dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, afati i punimeve ishte 15 muaj, ku do të rikonstruktohej godina dhe do të ndërtoheshin edhe parking nëntokësor. U ndryshuan dy ministra, Tahiri e Xhafaj dhe një drejtor i përgjithshëm policie, derisa përfunduan punimet. Në janar të këtij viti, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kreu i policisë, Ardi Veliu, përuruan ambientet e komisariatit të ri. Por, ende pa kaluar koha e garancisë së punimeve, ku minimumi është 6 muaj, ndodhi incidenti i djeshëm, duke u shembur hyrja e komisariatit. Për këtë arsye, menjëherë kanë nisur verifikimi i kontratës me kompaninë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit,. Sipas burimeve pranë policisë, autoriteti kontraktues i ka kërkuar kompanisë që të marrë masa për riparimin e dëmit të shkaktuar. Që sot janë vendosur skelat dhe po punohet për rikonstruksionin e pjesës hyrëse ku ndodhi dhe incidenti.



Skip to toolbar