Ish-deputeti i PS Arben Isaraj, analizon shkeljet që Ilir Meta i bëri Kushtetutës me dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai e nis analizën duke cituar Kushtetutën, me betimin që Presidenti bën mbi ligjin themelor të shtetit në momentin që merr detyrën.
“Në Republikën e Shqipërisë sipas nenit 88/11 të Kushtetutës, presidenti fillon detyrën pasi bën këtë betim para Kuvendit: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”. Presidenti mund të shtojë edhe: “Zoti më ndihmoftë”, shkruan Israraj.
Më tej, analiza vijon me një tjetër moment. Isaraj shprehet se “në momentin që ky betim shkelet, Kuvendi merr autoritetin nga Kushtetuta, të gjykojë mosbindjen presidenciale ndaj Kushtetutës e Ligjit dhe Vendimin e tij t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese për gjykim”, shkruan Ai. Ndërsa cilëson se “Është Gjykata Kushtetuese ajo, që vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës dhe deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.
Më pas, Isaraj, duke u shprehur se “Presidenti nuk i është bindur normave të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor në fuqi”, rendit 10 shkeljet, që sipas tij, Ilir Meta i bëri Kushtetutës. “1.Është shkelur pika 3 e Nenit 1 të Kushtetutës, që sanksionon periodicitetin e zgjedhjeve. 2. Është shkelur Neni 3 i Kushtetutës”, duke mos respektuar dhe mbrojtur por cënuar bazat e shtetit, sidomos : dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues etj”.
“3.Është shkelur Neni 4 i Kushtetutës i cili sanksionon se, Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur vet Kushtetuta parashikon ndryshe. 4.Është shkelur neni 15 i Kushtetutës i cili sanksionon, se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, e për këtë arsye organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre”.
“5.Është shkelur Neni 45/4 i cili sansionon se, “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”. 6.Është shkelur Neni 86 i Kushtetutës, me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, pasi Presidenti i Republikës si Kryetar i Shtetit nuk ka përfaqësuar unitetin dhe interesin e përgjithshëm të popullit në vendimmarrjen e tij”.
“7.Është shkelur pika (gj) e Nenit 92 të Kushtetutës, pasi Presidenti me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në vend që të caktoj datën e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor e ka anulluar atë; 8.Është shkelur Neni 3, i KODIT ZGJEDHOR, cili sanksionon si parime të përgjithshme : Zgjedhjet janë periodike; cdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod; institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë e tyre nuk duhet të cenojnë zhvillimin e zgjedhjeve etj…
9.Është shkelur Neni 8 i KODIT ZGJEDHOR, i cili flet për periudhën zgjedhore dhe sanksionon se, zgjedhjet për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor. 10.Është shkelur Neni 10 i KODIT ZGJEDHOR, i cili flet qartë për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, si dhe mbarimin e mandatit të organeve të qeverisjes vendore”, shkruan Israraj.
Isaraj, jep dhe një sqarim për termin “shkelje e rëndë kushtetuese”, që sipas disa analistëve dhe juristëve, Meta nuk e ka bërë një gjë të tillë. Por, Arben Isaraj mendon ndryshe. Për shkak të mungesës së traditës (precedentit kushtetutes), termi “shkelje e rëndë kushtetuese”, ende mbetet i paqartë. Ndaj, ky është rasti i parë që Gjykata Kushtetuese do të shprehet.
“Vet termi “shkelje e rëndë” vjen nga tradita ligjore britanike, si një lloj vepre antiligjore, të cilën parlamenti britanik e ka cituar me rastet e largimit të zyrtarëve të kurorës për shekuj me rradhë. Në thelb, kjo nënkupton “abuzim me pushtetin” nga një zyrtar publik i nivelit të lartë, “vepër që rrjedh nga sjellja e gabuar e personave publikë, ose, me fjalë të tjera, “abuzim ose shkelje e besimit të publikut”. Ato janë të një natyre që mund të emërtohen si “politike”, pasi lidhen kryesisht me dëmtimet e bëra për vetë shoqërinë. dhe jo domosdoshmërisht nënkuptojnë shkelje të një ligji të zakonshëm penal. Por, se çfarë përbën “shkelje të rëndë” është ende e paqartë juridikisht. Historikisht, ato kanë përfshirë abuzimin me pushtetin, korrupsionin si dhe abuzimet e tjera të besimit të publikut”, shkruan ndër të tjera Isaraj.
Në fund, Arben Isaraj, duke i quajtur “përpjekje mjerave” justifikimet se “shkeljet” janë bërë për të “shmangur konfliktin civil dhe arsye të tjera”, ai shton se: “C.Është koha të hiqet dorë nga opinionet politike dhe të mirëkuptohet “sarkazma” ndërkombëtare (sidomos veneciane) se: 1.Pavlefshmëria e dekreteve presidenciale vendoset nga Gjykata Kushtetuese, si dhe 2.Pavlefshmëria e zgjedhjeve vendoset po nga Gjykata Kushtetuese. Pasi, sipas nenit 116 të Kushtetutës dekretet presidenciale, nuk janë akte normative dhe si të tilla nuk janë objekt i gjykimit kushtetues sipas germës “c”, pikës 1, të nenit 131/21 të Kushtetutës. Po sipas neneve 116 dhe 117 të Kushtetutës, dekretet presidenciale, duke mos qënë akte normative nuk hyjnë në fuqi, nga botimi i tyre në Fletoren Zyrtare. Nga ana tjetër, ankimi në rrugë gjyqësore për proceset zgjedhore si dhe pavlefshmëria e zgjedhjeve sipas Kushtetutës e Kodit Zgjedhor në fuqi ( Pjesa XI, Kreu 1 ) , bëhet dhe vendoset në Kolegjin zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë dhe jo më në Gjykatën Kushtetuse. Ndaj, sipas Kushtetutës dhe ligjit, presidenti nën betim, të pres vendimet e Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese dhe …. “Zoti të ndihmoftë”.