Ish-ambasadori: Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore për shkak të Obamas

AKTUALITET


Ish-ambasadori britanik në Uashington thotë se beson se presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, sepse sipas tij, kjo marrëveshje ishte e lidhur me emrin e paraardhësit të tij, Barack Obama, thuhet në një dokument që ka rrjedhur në media.

“Administrata është e vendosur mbi një akt të vandalizmit diplomatik, me sa duket për arsye ideologjike dhe arsye të personalitetet – sepse ishte marrëveshje e Obamës”, shkruante Kim Darroch në një kabllogram diplomatik në maj të vitit 2018, thuhet në dokumentet e publikuara të dielën.

Kabllogrami është pjesë e grupit të dytë të dokumenteve që janë publikuar nga gazeta britanike Mail.

Në pjesën e parë të dokumenteve që janë publikuar, e që datojnë prej vitit 2017 deri në ditët e sotme, Darroch ka thënë se administrata amerikane ishte “diplomatikisht e ngathët dhe e paaftë” dhe nuk ka gjasa që të bëhej “më normale; më pak jofunksionale ; më pak e paparashikueshme, me më pak ndarje”.

Presidenti Trump është kundërpërgjigjur duke e quajtur Darroch “budalla”dhe “të krisur” dhe tha se më nuk do të ketë kontakt me asnjë të dërguar të Britanisë.

Darroch dha dorëheqjedhe përmes një letre, më 10 korrik u shpreh se edhe pse mandati i mbaronte në fund të vitit, ai besonte se “në rrethanat e tanishme, gjëja më e përgjegjshme është që të lejojë të emërohet një ambasador i ri”.

Darroch ka kritikuar administratën amerikane, për atë që ai e ka quajtur mungesë të strategjisë afatgjate.

“Ata nuk mund të artikulojnë asnjë strategji afatgjate; dhe kontaktet me Departamentin amerikan të Shtetit këtë mëngjes, sugjerojnë se nuk ka asnjë plan për të komunikuar me partnerët dhe aleatët, qoftë në Evropë apo në rajon”, kishte shkruar më 2018, Kim Darroch.

Marrëveshja bërthamore – e cila i mundësonte Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor – ishte arritur gjatë mandatit të dytë të Obamës.Tërheqja e SHBA-së nga kjo marrëveshje ka çuar në rritjen e tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit./REL/



Skip to toolbar