Izraeli nuk dërgon delegacion në Kajro për armëpushimin

BOTA


Në Egjipt po vijojnë  bisedimet për arritjen e një armëpushimi në Gazë përpara se të nisë muaji i Ramazanit, javën e ardhshme. Izraeli nuk dërgoi delegacionin e tij, konfirmojnë zyrtarët. Media izraelite njoftoi se qeveria po priste të vihej në dijeni paraprakisht se cilët pengje janë ende gjallë dhe sa palestinezë të burgosur kërkon Hamasi që të lirohen në këmbim të secilit prej pengjeve.

Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris i ka kërkuar grupit militant palestinez Hamas të binte dakord për një armëpushim të menjëhershëm 6 javor, ndërsa i kërkonte me forcë Izraelit të bëjë më shumë për të rritur dërgesat e ndihmave në Gaza, ku njerëz të pafajshëm po përballen me një katastrofë humanitare.


Këto ishin komentet më të forta të bëra nga një udhëheqës i lartë i qeverisë amerikane deri më sot për këtë çështje. Harris i bëri presion qeverisë izraelite dhe përshkroi mënyra specifike se si mund të jepen më shumë ndihma në enklavën me popullsi të dendur ku qindra mijëra njerëz po përballen me zi buke.

“Ajo që po shohim çdo ditë në Gaza është shkatërruese. Ne kemi parë raporte të familjeve që hanë gjethe ose ushqim për kafshë. Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm për të paktën gjashtë javët e ardhshme, që është aktualisht në tryezë. Kjo do t’i nxjerrë pengjet dhe do të na mundësonte të ndërtojmë diçka më të qëndrueshme për të siguruar sigurinë e Izraelit dhe për të respektuar të drejtën e popullit palestinez për dinjitet, liri dhe vetëvendosje”, tha Harris

Uashingtoni ka këmbëngulur se marrëveshja e armëpushimit është afër dhe ka bërë presion për të vendosur një armëpushim prej fillimit të Ramazanit. Harris do të ketë bisedime në Uashington me Benny Gantz, një anëtar me ndikim i kabinetit të luftës të Izraelit, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme armëpushimi dhe rritjen e ndihmës humanitare për Gazën.

Në negociatat e kaluara Hamasi ka kërkuar të shmangë diskutimin e mirëqenies së pengjeve individuale deri në përcaktimin e kushteve për lirimin e tyre. Ndërkaq sulmet vijojnë drejt Rafah ndërsa rritet frika për një ofensivë tokësore. Të paktën tetë palestinezë u vranë në Rafah ndërsa një kamion që mbante ndihma humanitare nga një organizatë bamirëse nga Kuvajti u godit nga sulmet ajrore. duke e çuar numrin e përgjithshëm të sulmeve gjatë natës në qytetin jugor në 13.




Skip to toolbar