Yuri Kim: Jam gati t`i përvishem punës

#NËRADAR


Ambasdorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim reagoi për herë të parë, pasi mbërriti në Shqipëri dhe mori detyrën zyrtarisht. Me anë të një mesazhi të shkurtër, publikuar në faqen zyrtare të ambasadës, Yuri Kim shprehet se “është gati t`i përvishet punës”. “Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”, është mesazhi i Ambasadores Kim.

Ajo mbërriti në vendin tonë të mërkurën në 22 janar, ndryshe nga sa ishte raportuar më herët se do të mbërrinte në Shqipëri në fund të muajit janar. Yuri Kim përcaktoi disa prioritete përpara se të vinte në Tiranë. Zbatimi i reformës në drejtësi, zgjidhja e krizës politike dhe rritja e investimeve amerikane në vendin tonë, janë në krye të axhendës së saj. Megjithatë, gjatë daljes përpara Senatit Amerikan, Yuri Kim foli edhe për sfida të tjera si: influenca e Rusisë apo e Kinës në vendin tonë.


Ambasadorja Yuri Kim, diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Ajo ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Poëell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.




Skip to toolbar