Java III e Champions, fitojnë “gjigandët”

SPORT


Java e tretë e Champions League ka konfirmuar skuadrat pretendente për të kaluar grupet. Real Madrid ka marrë tre pikët e para në Turqi. Një gol i Toni Kroos në pjesën e parë mjaftoi për t’i kthyer në lojë madrilenët për kualifikim, të cilët para kësaj ndeshje kishin vetëm 1 pikë dhe mbanin vendin e fundit. Ndërsa PSG vijon marrshin e pandalshëm duke i qëndruar dhe rrezikut të rilindur madrilen. Parisienët nuk kanë hasur probleme ndaj Brugge, me Mbappe dhe Icardi të cilët e kthyen në tabelë qitje portën e belgëve. Pesë gola shënuan francezët, tre nga Mbappe dhe dy nga Icardi dhe fluturim në vendin e parë me nëntë pikë, pesë më shumë se Real Madrid.

Në grupin B, Bayern Mynih ka marrë një fitore mes vuajtjesh në Athinë. Grekët e Olympiacos surprizuan me Youssef El Arabin, por Lewandowski barazoi shifrat brenda pjesës së parë. Përsëri bomberi polak përmbys rezultatin në ‘Kairaskaki’ ndërsa Tolisso siguroi fitoren për bavarezët. 10 minuta nga fundi Guilherme ngushtoi shifrat për Olympiacos por nuk mjaftoi. Bayern duket se do e sigurojë kualifikimin para kohe pasi ka nëntë pikë, pesë më shumë se Totenham i cili ndaj Crvena Zvezdas në Wembley ka luajtur tenis. Edhe londinezët e Pochettino fituan me një ‘manita’ ndaj serbëve nga Beogradi. Harry Kane dhe Son Heung- Min shënuan nga një dy golësh ndërsa vend në tablën e shënuesve kishte dhe Erik Lamela.


Juventus ka arritur një fitore heroike me përmbysje ndaj Lokomotivës së Moskës, në një ndeshje që në letër dukej e lehtë për bardhezinjtë, por që në fushë nuk ka qenë e lehtë për vendasit. Pjesa e parë u dominua nga të besuarit e Sarrit, por ishte Lokomotiva ajo që gjeti golin e avantazhit, në minutën e 30-të me anë të Miranchuk, duke shkuar në pushim me shifrat 0-1. Juventusi arriti të reagonte në pjesën e dytë, ndërsa ishte Paolo Dybala, i cili shënoi dy herë brenda tre minutave. Fillimisht, argjentinasi shkundi rrjetën me një nga perlat e tij, ndërsa dy minuta më vonë, shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri i rusëve, Ghulierme, me bardhezinjtë që përmbysën gjithçka. Nga ana tjetër, Manchester City ka shpartalluar në “Etihad Stadium” Atalantën me shifrat 5-1. Sterling ishte protagonist absolut për të besuarit e Guardiolës, me anglezin që shënoi tre gola. Kështu, City blindon vendin e parë me nëntë pikë të plota, ndërsa Atalanta mbetet në fund, me italianët që nuk kanë festuar ende pikën e parë në Champions.




Skip to toolbar