“Je tapë. Mos fol kështu”. Debate të forta në komision për paketën anti-shpifje

AKTUALITET


Vijuan të enjten debatet në Komisionin e Medias ku po diskutohen dy ligjet e paketës anti-shpifje, që janë përgatitur nga qeveria. Të enjten ishin të pranishëm disa drejtues mediash, gazetarë dhe pedagog të gazetarisë. Gjatë fjalës së tij, gazetari dhe pedagogu Mark Marku është përplasur me ish-ministren e Kulturës Mirela Kumbaro. Fillimisht, Marku u shpreh se ligji do të jetë një turp për ata që po e bëjnë.

“Mos bëni ligje kot, sepse pavarësisht se ju bëni ligj dhe ne do ta vazhdojmë  rezistencën. Ky ligj do të jetë vetëm një ligj thjesht në letër nëse e bëni, por ama do të jetë në turpin e atyre që e bëjnë. Shkel thellësisht lirinë e medias. Vetërregullimi dhe normat rregulluese janë qartësisht të ndara nga normat  ligjore”, tha Marku.

Por gjatë kohës që fliste Mark Marku, ndërhyri ish-ministrja Kumbaro e cila kërkoi fjalën. “A ka mundësi zonja kryetare për procedurë?”, por kryetarja e komisionit nuk ia dha fjalën, ndërkohë që Kumbaro u shpreh se në këtë mënyrë po shkelet procedura.

Por, Mark Marku ndërhyri përsëri duke iu drejtuar Znj. Kumbaro: “Pak edukatë, se je pedagoge. Nuk kam  ardhur në furgon, po deshe dëgjo, po deshe dil. E keni bërë Kuvendin si furgon dhe doni ta bëni edhe median si furgon”. Ndërsa ish-ministrja i kërkoi pedagogut të ruante etikën, ndërsa pas këtij debati verbal ajo u largua nga salla.

Debati ka vijuar më pas edhe mes analistit dhe drejtuesit të “Politiko.al”, Alfred Lela me dy deputetë të opozitës në komisionin e medias. Lela i është drejtuar deputetit Selami Jenisherit duke i thënë: “Ti sikur je tapë”, ndërkohë që pas kësaj ndërhyri deputeti Halit Valteri i cili iu drejtuar analistit Lela: “Nuk mund tu flasësh deputetëve kështu e ti thuash sikur je tapë”. Ndërkohë, Alfred Lela replikoi me deputetin Valteri duke i thënë: “Çfarë deputeti je ti aman”.



Skip to toolbar