Me afrimin e zgjedhjeve më 30 qershor, qeveria ka marrë dy vendime që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por që do të mundësojë edhe një qeverisje më të mirë.
Në vendimin e parë qeveria ka miratuar që t’u hiqet e drejta të gjitha krybashkiakëve që po u mbaron mandati të mos kenë më të drejta për dhënien e tenderave apo prokurime me vlerë të lartë. Ndërsa në vendimin e dytë ka ngritur një Task-Forcë për të mos lejuar administratën të bëhet pjesë e procesit elektoral duke siguruar asnjanësinë e saj.
VENDIM
PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË FILLIMIT TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT NGA NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE DHE AUTORITETET KONTRAKTORE NË VARËSI TË TYRE, PËR VITIN 2019
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019.
Përjashtohen nga ky rregull:
– prokurimet me vlerë të vogël;
– procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.
Ngarkohen të gjitha institucionet e vetëqeverisjes vendore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
VENDIM
“Task-Forca, në bashkëpunim me titullarët e ministrive dhe grupet e monitorimit, të përmbushë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Monitorimin e sjelljes dhe të veprimtarisë së administratës shtetërore, sipas këtij vendimi;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik apo kandidati;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur, dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;
d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;
f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;
gj)Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;
h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi”,- thuhet në vendimin e qeverisë.