“Bënë reforma të forta”, Juncker: Të mbahet premtimi për Tiranën dhe Shkupin

POLITIKË


Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparime thelbësore. Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian me rastin e debatit për përgatitjet për Këshillin Evropian të 17-18 Tetor 2019, Juncker kërkon që të mbahet premtimi me vendet e Ballkanit Perëndimor.


“Maqedonia Veriore dhe Shqipëria kanë bërë përparim thelbësor. Kjo është arsyeja pse presidenti Tusk, presidentja e zgjedhur von der Leyen dhe unë u shkruajtëm një letër shteteve anëtare duke i ftuar ata të bëjnë atë që u premtuan vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Juncker.

Po ashtu, ai tha se marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por edhe reformat e guximshme që ka ndërmarrë Shqipëria, “duhet të na lejojnë që ti hapim negociatat”.

“Nëse Europa ka një vullnet të fortë, gjithmonë ekziston një mënyrë për të arritur qëllimet e dakorduara zakonisht. Unë marr shembullin e marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë – korniza europiane dhe perspektiva europiane kanë ndihmuar për të siguruar që një konflikt dhjetëvjeçar te zgjidhet përfundimisht. Dhe reformat që Shqipëria ka ndërmarrë me guxim, na lejojnë të parashikojmë në një mënyrë të favorshme hapjen e negociatave të pranimit”, deklaroi Juncker.