Kadri Veseli i PDK-së u vlerësua nga të gjithë për gjestin që bëri që doli dhe pranoi publikisht humbjen në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, por së fundi ai ka kërkuar rinumërim të votave duke deklaruar se gjatë zgjedhjeve ka pasur shumë parregullsi.
Mediat kosovare raportojnë se PDK ka depozituar kërkesën për rinumërim të votave pasi pretendon se kanë ndodhur disa parregullsi gjatë numërimit të votave, por nuk ka dhënë ndonjë detaj se çfarë ka kërkuar saktësisht PDK-ja.
Lajmin është konfirmuar nga Mul Desku, kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Jemi në dijeni se dje ka ardhur një ankesë nga ky subjekt politik. Deri më tash kaq mund të them, nuk kemi asnjë informacion rreth pretendimeve të ankesës së kësaj partie”, ka thënë Desku.
Ndërkohë, Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në KQZ, ka konfirmuar se kanë kërkuar rinumërim, pasi pretendojnë që rreth 1000 vota të PDK-së janë marrë nga partitë e tjera, si pasojë e një defekti në formularët e KQZ-së.
Përveç PDK kërkesë për rinumërim votash kanë depozituar edhe parti të tjera, si LDK dhe Nisma të cilat pretendojnë parregullsi.