Me 3 medalje të arta është mbyllur gara e peshëngritësit shkodran Erkand Qerimaj në Kupën Mesdhetare në San Marino duke rrëmbyer edhe titullin kampion. Qerimaj u vlerësua për stilin e shkëputjes, atë të shtytjes dhe ngritjes së peshës totale 346 kilogramë, duke rrëmbyer nga një medalje ari për secilën nga kategoritë.
Qerimaj mori medaljen e parë me stilin e shkëputjes, ku fillimisht dështoi në provën e parë të ngritjes së 151 kg por triumfoi në provën e dytë me 153 kg dhe atë të tretë me 156 kg, duke marrë medaljen e parë të arit.
Në provën e shtytjes, Qerimaj siguroi sërish një medalje ari , ku nuk gaboi në asnjë prej tre provave me ngritjen e 183 kg, më pas në të dytën 187 kg dhe në fund 190 kg. Medalja e tretë e arit u mor fal ngritjes së peshës 346 kilogram.
Në lojërat e San Marinos në Peshëngritje, morën pjesë edhe dy peshëngritësit e tjerë shqiptarë, Daniel Godelli, i cili mori dy medalje bronzi dhe Briken Calja, i cili mori një medalje argjendi dhe një bronzi.