Kapet në Korçë mashtruesi i dënuar 3 herë. Policia i gjen armë të ftohta

AKTUALITET


Policia e Korçës arrestoi një person i kërkuar nga të paktën katër Drejtori Vendore të Policisë së Shtetit, pasi ishte dënuar nga tre gjykata të ndryshme. Bëhet fjalë për shetasin Liridon Salihi, 31-vjeç nga Gjilani i Kosovës, i dënuar më parë për veprën penale “Mashtrimi”.

Shtetasi i mësipërm rezulton i shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë e Fier, për veprën penale “Mashtrimi” si më poshtë: Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme) dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10000 euro.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.

Po ndaj këtij shtetasi po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP-Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi ky shtetas, me anë të mashtrimit ka përfituar nga një shtetas në Levan të Fierit, një shumë prej 850.000 lekësh. Shtetasi L. S., në momentin kur shërbimet e Policisë në lagjen nr. 9, i kanë kërkuar të ndalonte, nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar të largohet me mjetin tip “Benz”, por u neutralizua dhe u vu në pranga.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, iu gjet 1 kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar, si dhe në mjet iu gjet 1 thikë dhe 1 sopatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.



Skip to toolbar