Katari dhuron 8 kamionë me ndihma për të prekurit nga tërmeti në Tiranë

AKTUALITET


Ambasada e Katarit në Tiranë dhuroi të dielën 8 kamionë me ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në kryeqytet. Ndihmat e Katarit janë dorëzuar në qendrën e emergjencave në Tiranë. I pranishëm gjatë dorëzimit të ndihmave, ishte kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe ambasadori i Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri.

“I jam shumë falenderues dhe shumë mirënjohës vëllait, mikut tonë ambasadorit të Katarit, por edhe të gjithë popullit të Katarit, që si në çdo fatkeqësi na është gjendur i pari. Ndaj, e vlerësoj jashtë mase gjithë këtë kontribut. Sot kemi akomoduar në qendrat e emergjencës një pjesë të madhe të popullsisë në fshat, megjithatë me ketë aksion të sotëm, ne kalojmë nga qendrat e emergjencës tek ndihma që shkon në çdo shtëpi”, tha Veliaj gjatë fjalës së tij.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se familjet e prekura nga tërmeti në qytet kanë nisur sistemimin në shtëpi me qira, ndërsa paralelisht po punohet për të lehtësuar kushtet edhe për familjet e prekura nga tërmeti që jetojnë në zonat rurale. “Këtë fundjavë, popullsia urbane nuk do të ketë më nevojë që të qëndrojë nëpër palestra, nëpër mensa sociale apo nëpër qendra të ndryshme të emergjencave. Secili ka marrë bonusin e qirasë dhe është akomoduar diku në qytetin e Tiranës, një pjesë të madhe kemi pasur mundësi edhe t’i vizitojmë. Tani që pjesa urbane e ka mbyllur fazën e emergjencës, do ta mbyllim fazën e emergjencës edhe në pjesën rurale”, tha ai.

Duke vlerësuar miqësinë vëllazërore mes dy popujve, ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali Bin Hamad Al-Mari siguroi kryebashkiakun Veliaj se mbështetja do të vijojë edhe në ditët në vijim. “Edhe njëherë ngushëllojmë qeverinë dhe popullin mik shqiptar dhe ju urojmë shërim të shpejtë të plagosurve nga tërmeti. Fondi i Katarit për Zhvillim në koordinim me Qendrën e Katarit për bamirësi, kanë direktiva të prera që nga dita e parë që të shpërndahen në çdo zonë të prekur nga ky tërmet dhe të jenë prezent. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe me funksionarë duke përfshirë dhe kryetarin, dhe të shikojmë se për çfarë kanë nevojë. Ne nuk do të ndalojmë. Ka akoma ndihma të tjera që do të vijnë më tutje. Dua t’ju siguroj kryetar që shteti i Katarit ka qenë dhe do të jetë pranë jush në çdo moment”, tha ambasadori Ali Bin Hamad Al-Mari.



Skip to toolbar