Nëse keni probleme me pronat apo me legalizimet, mos prisni që zgjidhjen t’jua japë deputeti por klikoni te platforma shqipëriaqëduam.al.
Kjo është këshilla që jep gjithmonë kryeministri dhe që e ka përsëritur sërish edhe sot në takimin e përjavshëm, ku madje ka bërë publike dhe rezultatet e një sondazhi. Ai tha se të dhënat e sondazheve tregojnë se besimi i publikut është rritur tek platforma dhe se shumë qytetarë kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre.
“Skuadra e platformës është e gatshme të adresojë problemin dhe ta zgjidhë atë. Kemi bërë një anketim lidhur me perceptimin e publikut për shërbimin e kryer. Kemi konstatuar se përqindja që vlerësojnë se shërbimet janë përmirësuar është e konsiderueshme dhe e pakrahasueshme me atë që kishim një vit më parë. Platforma jo vetëm zgjidhë probleme, por edhe ushtron presione mbi administratën”, tha Rama.
“Sot nuk kemi më Hipotekë dhe Aluizni të ndarë, por një agjenci e cila sapo ka filluar bashkimin në një. Mos prisni, mos lejoni t’u shikojnë nga xhepi, mos kërkoni deputetin e krushkun, por thjesht një klik në Shqipëriaqëduam.al dhe menjëherë keni qeverinë në krahun tuaj. Qeveria është një instrument në dorën e çdo qytetari”, shtoi ai.