Deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri i cilësoi të turpshme kërcënimet e ardhura në drejtim të Rudina Hajdarit, ndërsa la të kuptohej se ajo është kërcënuar nga anëtarë brenda grupit të tyre parlamentar. Valteri tha për mediat jashtë godinës së Kuvendit, se është informuar nga vetë Hajdari në lidhje me këtë çështje, ku shtoi se kërcënuesit e kanë humbur idenë se për cilën arsye ndodhen në atë sallë të Kuvendit.
“Unë si nënkryetari i grupit Parlamentar demokrat jam vënë në dijeni nga Hajdari për rastin në fjalë. Janë disa situata që kanë ndodhur brenda grupit tonë parlamentar. Këto janë skena të turpshme. Mendoj që duhet të zgjidhet brenda grupit parlamentar demokrat. Këto i takojnë zonjës Hajdari, të cilës i takojnë që t’i bëjë publike. Të gjithë deputetët kontrollohen. Ata që mendojnë se mund të kërcënojnë deputetët e kanë humbur tërësisht fillin e ekzistencës për çfarë janë në këtë sallë“. tha Valteri
Rudina Hajdari bëri një deklaratë të fortë gjatë seancës parlamentare ku tha se është kërcënuar brenda zyrës së saj në Kuvend dhe i kërkoi kreut Gramoz Ruçi të marrë masa në lidhje me sigurinë e jetës së saj, pasi siç tha ajo një vrasje mund të ndodhë brenda në Kuvend.