Kërcënohet me jetë Rudina Hajdari

AKTUALITET


Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari tha në seancë parlamentare se është kërcënuar brenda në zyrën e saj në Kuvend dhe i kërkoi kreut të Kuvendit të marrë masa në lidhje me sigurinë e jetës së saj, pasi siç tha ajo një vrasje mund të ndodhë brenda në Kuvend.

“Para pak ditësh ju kam dërguar një shkresë në lidhje me një kërkesë që ju kërkon të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të Kryesisë së Kuvendit. Nuk mund të ndodhë sot që në 2019 deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet. Më kanë ardhur në zyrë e më kanë kërcënuar. Nuk mundet të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Merrni masa para se të kemi ndonjë viktimë në parlament. Asnjë deputet mos të hyjë pa u kontrolluar, asnjë deputet të mos vijë me përforcime me njerëz të tjerë dhe të shantazhojë”, tha Hajdari në fjalën e saj.  


Në përgjigje të saj kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se e ka marrë shkresën e saj dhe ia ka kaluar ministrisë së Brendshme që të marrë masa shtesë, ndërsa tha se ka urdhëruar shërbimet e Kuvendit që të jenë vigjilentë.

“Kam kërkuar që punonjësit e shërbimit të sigurisë në Kuvend të jenë të kujdeshëm dhe të sigurojnë jetën e deputetëve. Në mënyrë të posaçme kërkesën tuaj ia kam përcjellë ministrisë së brendshme që të merren masat për shqetësime që ju keni ngritur në seancën e sotme”, tha Ruçi.

Kërkesa e Hajdarit erdhi fill pas fjalës së mbajtur në Kuvend nga Korab Lita, i cili pretendon se është ai kreu i grupit parlamentar Demokrat dhe u përpoq që ta shkarkonte Hajdarin nga ky post. Në fjalën e tij Lita tha se ai vijon të jetë kryetar i këtij grupi dhe se ky grup nuk pranon më deputetë të tjerë në gjirin e tij.

 “Grupi parlamentar më 24 tetor vendosi të mos pranojë kërkesën e deputetëve për anëtarësim. Grupi do vazhdojë të ketë 9 anëtarë. Me 5 vota pro dhe 3 kundër është vendosur që të mos pranohet asnjë anëtar i ri për momentin në grupin parlamentar demokrat”, deklaroi Lita.

Lidhur me konfliktet për kreun e grupit të demokratëve në Kuvend, Ruçi ka thënë se janë çështje që duhet t’i zgjidhin vete deputetet.

“Ua kam thënë edhe më parë: është e drejtë ekskluzive e deputetit të largohet nga një grup parlamentar, dhe e drejtë e grupeve të përjashtojnë anëtarët e grupeve. Në këtë punë nuk jam unë, as kryetari i Kuvendit dhe as seanca. Është e drejta juaj, nuk ka punë as kryetari as seanca.  Problemet që kini brenda vetes, uluni, i zgjidhni, i konkludoni sipas rregullave demokratike të rregullores së Kuvendit”- tha ai.

Nuk dihet ende se cili është deputeti apo personi që ka kërcënuar me jetë Rudina Hajdarin.




Skip to toolbar