Arben Malaj, ka reaguar pas nismës së deputetëve të PS, për shkarkimin e tij si anëtar Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, duke akuzuar se paralajmërimet kërcënuese ia kishte dërguar më herët Taulant Balla, ndërsa u shpreh i bindur se ai do fitojë edhe gjyqet për t’i paguar pagën për 7 vite, pasi deri më sot nuk ka asnjë shkelje etike të evidentuar.
Reagimi i Malajt vjen një ditë më vonë, pasi realstory.al mësoi ekskluzivisht se 28 deputetë i kanë bërë një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkojnë shkarkimin e Arben Malajt, nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vihet re se kërkesa është bërë nga të njëjtët deputetë, të cilët kishin propozuar emërimin e tij dhe argumenti i paraqitur nga deputetët për shkarkimin e Arben Malajt, është shkelja e etikës.
Por, përmes një reagimi në facebook, Arben Malaj thekson se vendimi për shkarkimin është tërësisht politik dhe nuk lidhet me shkelje etike. Malaj thotë se pas shkarkimit nga presidenti turk, Erdogan te Guvernatorit te Bankës se Turqisë, “ky mund të jetë rasti i dytë që maxhorancat e gjithë pushtetshme shkarkojnë një anëtar Bordi të Bankës Qendrore”. Ai paralajmëron se do ta ndjekë betejën në rrugë ligjore duke përfituar 7 vite paga, për të cilën thotë se shqetësohet për shkak se ato nuk i paguajnë deputetët, por taksapaguesit shqiptarë. “Kërcënimet paralajmëruese mi ka dërguar Taulant Balla pas mos pranimit të ndërhyrjes së tij edhe me SMS me rekomandime partiake në proceset e përzgjedhjes në Bordin e Bankës së Shqipërisë. Shqetësim është i protokolluar në mbledhjen e Bordit te Bankës së Shqipërisë”, akuzoi Malaj.
Arben Malaj u zgjodh si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2018, i propozuar nga Partia Socialiste dhe i mbështetur në Kuvend. Vendimi i papritur për shkarkim, ashtu siç në fakt ishte edhe emërimi i tij në këtë post, ka shkaktuar reagime të shumta.
Për momentin nuk ka reagime nga mazhoranca për arsyet e shkarkimit të tij të mundshëm, por muajt e fundit, Malaj ishte bërë shumë agresiv ndaj mazhorancës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
Familja Malaj, më konkretisht vëllai i tij, Basir Malaj, ka pretenduar një leje ndërtimi për pallate në zonën e Mjull-Bathores. Vetë Veliaj zbuloi në një intervistë se burimi i sulmeve të ish-deputetit, ishte refuzimi i kryebashkiakut që t’i jepte një leje ndërtimi, e cila sipas tij, rezultonte në kundërshtim të plotë me ligjin.
Tashmë, me akuzat e Arben Malajt, gjakrat mes tij dhe mazhorancës janë nxehur më shumë dhe kjo mund të sjellë akuza dhe reagime më të forta publike.