Shpërthimi në Bllok, çfarë u zbulua në bodrumin e argjendarisë

Më të fundit


Detaje të reja janë zbuluar nga raportet e policisë dhe të zjarrfikësve në lidhjen me shpërthimin që ndodhi mesditën e së hënës në zonën e ish Bllokut, që shkaktoi plagosjen e 5 personave, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë në spital.

Shpërthimi ndodhi në një argjendari në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, në rrugën “Vaso Pasha”. Në fillim u tha se kishte shpërthyer bombola me hidrogjen që përdorej për mbushjen e tullumbaceve që përdoren për zbukurimin e eventeve të ndryshme. Por në të vërtetë ka shpërthyer njëra prej bombolave të mbushura me gaz propan që përdoren në argjendari për shkrirjen e floririt apo argjendit.


Sipas Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial, njëra prej bombolave ishte e mbushur me gazin propan, ndërsa tjetra me gazin kriogjen, i cili quhet ndryshe gaz teknik. Bombola e gazit kriogjen është gjetur me valvul të hapur dhe dyshohet se ka pasur rrjedhje në tubin përcjellës mes bombolës dhe pajisjes, me të cilën punohej.

Në raportin paraprak të përpiluar nga ekspertët zjarrfikës, ngjarja ka ndodhur për shkak të një pakujdesie njerëzore.

Nga tejngopja e ajrit me gaz në prani të një shkëndije në bodrum ka ndodhur shpërthimi, i cili ka shkatërruar plotësisht argjendarinë dhe dyqanin ngjitur. Nga forca shpërthyese është shkatërruar muri lidhës mes dy subjekteve tregtare, si dhe paneli i betonit në pjesën e tavanit. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4 automjete të parkuara afër vendit të ngjarjes.

Kujtojmë, që nga shpërthimi i fuqishëm kanë mbetur të plagosur edhe pesë persona, çifti që janë pronarë të argjendarisë, shitësja e dyqanit dhe dy kalimtarë.




Skip to toolbar