Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me protestat e dhunshme që kanë ndodhur në kryeqytet.
Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se është përpjekur për të mos rënë në kurthin që kërkon gjak.
Kreu i qeverisë deklaroi se në 21 janar u vranë 4 persona, ku nuk u prek asnjë institucion.
“Ja ku jam, nuk kam ikur. Gjithsesi, vendosa të jem këtu sot, të përpiqem të them gjërat e mia. Jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e të koordinoj një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës, që kërkon gjak. Kërkohet gjak. Dhe unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë. Janë ende të freskëta në kujtesë, ato që ndodhën në 21 janar, ku pati disa zjarre sporadike tek tuk, në këtë perimetër, ku nuk u prek asgjë, asnjë institucion. Ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe ku u vranë me plumba, 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot, nuk shkonin dot as në spital”, theksoi ai.


