Avokati i shtetasit turk Harun Çelik, Alban Bengasi tha për “Zërin e Amerikës” se deportimi i shtetasit turk, për të cilin pretendohet se është mbështetës i Lëvizjes Gylen, është bërë në shkelje të ligjit dhe se prokuroria duhet t’i hetojë këto veprime të paligjshme.
“Për një akt dëbimi, që ndërmerret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë. Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhri është i ligjshëm apo i paligjshëm” – tha avokati Alban Bengasi.
Avokati Bengasi tha se “Harun Çelik u ka kërkuar zyrtarëve azil politik por kjo i është refuzuar nga autoritetet e policisë së burgjeve.”
Zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha për “Zërin e Amerikës” se “ky shtetas ishte i dënuar dhe të mërkurën doli nga burgu… Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.
Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi iu përgjigj se “nuk kishte informacion tjetër”.
Harun Çelik, 42 vjeç, pas përfundimit të dënimit me 5 muaj burg pasi tentoi të kalonte tranzit me dokumente false drejt Italisë. Deportimi i tij është bërë menjëherë me përfundimin e dënimit pikërisht më 1 janar 2020.