Policia e Shtetit njofton se janë kthyer në atdhe 46 shqiptarë që kishin kërkuar azil në shtetet e BE-së. Konkretisht janë riatdhesuar 29 shtetas nga Franca, mes tyre edhe një familje me 5 anëtarë, si dhe 17 shtetas të tjerë shqiptarë që jetonin pa dokumente në BE.
“Policia Kufitare në bashkëpunim me Policinë Franceze, kanë vijuar operacionet e përbashkëta të riatdhesimit, ku nëpërmjet dy fluturimeve me charter nga Franca janë riatdhesuar 29 shtetas shqiptarë, të cilëve u është refuzuar azili në Francë, në njërin prej fluturimeve një familje me 5 anëtarë.
Gjithashtu janë deportuar nga vendet e BE-së edhe 17 shtetas të tjerë me motivin ”Qëndrim i parregullt në territor”, ”Pëfunduar vuajtjen e dënimit në vendet e BE -së”, ” Tentativë kalimi ilegal për në Mbreterinë e Bashkuar”, ”Tejkalim i afatit të qëndrimit në territor” dhe ”Refuzim azili në vendet e BE-së”, njofton polcia.
Theksohet se autoritetet do të vazhdojnë me operacionet e riatdhesimit edhe në javët e ardhshme dhe në këtë kontekst, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së që të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe mos bëjnë asnjë tentativë për të kërkuar azil, pasi shanset për t’a fituar atë janë zero.
Njëkohësisht Policia Kufitare në pikat e kalimit do vijojë me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.