Rama nxjerr jashtë loje Metën, i shtrin dorën Bashës për dialog

AKTUALITET


Pas një mbledhje kryesie që ka zgjatur plot 5 orë, kryeministri Rama e bëri të qartë dhe njëherë si për presidentin Meta, ashtu edhe për kreun e PD-së, Basha, se nuk e njeh dekretin e 13 tetorit dhe se nuk do të ketë zgjedhje të tjera përveç atyre të vitit 2021.

Rama gjithashtu u shpreh i gatshëm të ulet dhe të dialogojë me opozitën por jo për çështje që lidhen me ndryshime kushtetuese apo për kufizim të mandatit qeverisës. Ai tha se maxhoranca e tij e ka detyrim të forcojë kulturën e ligjit në vend. Ndryshe nga sa propozon Meta e që mbështetet nga Basha e Kryemadhi që në 13 tetor të zhvillohen 3 procese zgjedhor në kundërshtim me Kushtetutën.


“13 tetori për mua është njëlloj si 12 tetori, 6 nëntor, 22 dhjetori…. S’njoh ndonjë 13 tetor. Është një e diel si të gjithë të tjerat që kemi përpara.

Ne jemi absolutisht të disponueshëm për t’u ulur në tryezë me të gjithë pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë paragjykim për të diskutuar për sfidat e vendit dhe për ç’ka është e rëndësishme në funksion të rregullave të lokës, pra në funksion të reformës zgjedhore. Për sa i përket kushtetutës dhe mandatit tonë qeverisës këto nuk janë çështje që i kemi për diskutim me askënd tjetër, sepse lidhen me detyrimet tona. Ne kemi detyrimin të forcojmë kulturën e ligjit dhe nga ana tjetër kemi detyrimin të mbajmë me nder dhe dinjitet një mandat që na është dhënë për të qeverisur deri në vitin 2021”, është shprehur Rama.

I pyetur disa herë për dekretin e Metës, Rama tha se “zgjedhjet janë bërë në 30 qershor. Ne e kemi sfidën me problemet e njerëzve dhe jo me problemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare apo të presidencës”.

Me këtë deklaratë Rama i jep përgjigjen përfundimtare insistimit të vazhdueshëm të presidentit Meta që palët të shohin si zgjidhje të krizës datën 13 tetor. Për Ramën kjo datë nuk ekziston, zgjedhjet janë bërë, ndërsa opozitës i shtrin dorën për dialog për reformën zgjedhore dhe çdo çështje tjetër që nuk lidhet me ndryshimin e Kushtetutës apo zgjedhje të parakohshme, duke e nxjerrë jasht loje Metën dhe tentativen e tij për negociata./realstory.al




Skip to toolbar