Zgjati më pak se një orë takimi i dytë i “Këshillit Politik” për Reformën Zgjedhore, që u mbajt të enjten pasdite. E para që doli nga mbledhja ishte Rudina Hajdari. Gjatë fjalës së saj për mediat, bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore u shpreh se takimi ishte pozitiv. Megjithatë, Hajdari përsëriti kërkesën kryesore të saj dhe opozitës parlamentare, përfshirjen në ndryshimet ligjore edhe atë për listat e hapura. “Ne duhet të kemi një produkt që të jetë dakordësuar nga të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, duke iu dhënë shans shqiptarëve të kenë lista të hapura, që ata të votojnë ata që duan, dhe për t’u hequr pak pushtetin krerëve të partive. Mendoj që hapja e listave do të ishte një gjë shumë pozitive. Takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë. Ju garantoj që tani e tutje do vazhdojmë të takohemi, mbase edhe përditë, pasi duhet bërë një punë shumë intensive”, tha Hajdari.
Por, në kushtet kur Partia Demokratike apo opozita e ka zhvlerësuar rolin e opozitës parlamentare në hartimin e Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari përdori një fjalë të re në artikulimin e saj, “veton”. Ajo u shpreh, se si bashkëkryetare e Komisionit të Reformës Zgjedhore ka të drejtën e përdorimit të “vetos” në produktin final, nëse ai nuk do të ketë konsensus. “U diskutua fakti që roli jonë kyç në këtë tryezë tregon se ne do vazhdojmë të japim kontributin tonë dhe komisioni do vazhdojë e do ketë rolin e saj lidhur me rolin që çdo përfaqësues ka në atë komision. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese, mundësinë e vetos në produktin final, që do kalohet në parlament. Për ne është e rëndësishme që produkti final duhet të jetë një produkt që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të përfshijë sa më shumë aktorë politikë. Për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus dhe me sa shoh edhe palët tjera kanë filluar të flasin për ndryshim të sistemit, pra nuk është përjashtuar nga tavolina, por po gjithëpranohet nga palët e tjera. Është një gjë për t’u parë”, tha Hajdari.
I dyti që doli nga takimi, ku u bë konstituimi i “Këshillit Politik”, ishte Oerd Bylykbashi dha detaje rreth kërkesave të opozitës. Ai tha se prioritetet kyçe janë shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, keqpërdorimi i Policisë apo manipulimi i listave. Ndërkohë, Bylkbashi tregoi se të gjitha ndryshimet duhet të jenë gati përpara 15 marsit, duke treguar se tashmë do të jenë ekspertët ata që do të punojnë për të pasqyruar kërkesat e OSBE/ODIHR.
“Sapo u konstitua Këshilli Politik sipas dokumentit të kompromisit i cili përcakton rrugën që do të eci Reforma Zgjedhore. Këshilli autorizoi përfaqësuesit politikë dhe ekspertët që të operojnë me konsensus që duhet të vazhdojë deri në miratim. Ajo që ne bëmë të ditur, është që prioriteti i çështjeve sipas edhe OSBE është lufta kundër shitblerjes së votës, presionit mbi zgjedhësit, presionit mbi administratën, keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, manipulimit të listave, cënimi i sekretit apo lirisë së votës. Por edhe çështjeve të tjera pa asnjë përjashtim. Dokumenti do iu bëhet publik. Detyra është që ekspertët të ecin sa më shpejt. Detyra jonë është të ecim shpejt, deri në 15 mars e kemi afatin. Unë nuk kam çfarë të shtoj nga dokumenti i kompromisit. Parlamenti duhet ta miratojë pa asnjë ndryshim produktin që do dalë për Reformën Zgjedhore sipas dokumentit”, tha Bylykbashi.
Damian Gjiknuri foli më shkurt se kolegët e tij të “Këshillit Politik”. Megjithatë, ai u shpreh se parësor mbeten çështjet e administrimit zgjedhor, por nuk la pa përmendur edhe diskutimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Kjo është një tavolinë formale, roli u mbetet përfaqësuesve politikë. Prioritet për këtë grup pune është objekti i punës së komisionit, çështjet e administrimit zgjedhor, pse jo edhe të sistemit. E rëndësishme është që të fokusohemi. PD-ja ka bërë një kthesë të madhe nga qëndrime te saj ekstremiste dhe unë jam shumë i lumtur, që PD-PS dhe të tjerat u ulën për kompromis” tha Gjiknuri. Pjesë e “Këshillit Politik” u bën dhe përfaqësues të tjerë, që do të punojnë për Reformën Zgjedhore. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të përfaqësohet nga Ervin Bushati. Grupi Parlamentar i demokratëve në Kuvend do të përfaqësohet nga Alban Zeneli, i cili zëvendësoi Myslim Murrizin. Nihmet Musai do të përfaqësojë të pavarurit në Kuvend. Nga opozita jashtëparlamentare janë pesë përfaqësues. Veç Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, tryezës i shtohen: Mesila Doda nga PDIU, Fatmir Mediu nga PR dhe Vangjel Dule nga PBDNJ. Ndërsa Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri janë gjithashtu dhe bashkëkryetarët e Komisionit Parlametar të Reformës Zgjedhore. /Realstory.al/