Liverpool u shpall mbrëmjen e të mërkurës fitues i Superkupës së Europës, duke mundur Chelsea në “Vodafonë Park Arena” të Stambollit. Një ndeshje e çmendur, por me metropolin turk që i solli përsëri fat “The Reds”, pas suksesit 14 vjet më parë kur Liverpool fitonte Champions League ndaj Milanit.
Pas 120 minutash lojë, me ndeshjen që përfundoi 2-2, u desh gjuajtja e penalltive dhe pritja spektakolare e Adrian, që Liverpool të ngrinte lartë trofeun e parë për sezonin e ri të futbollit. Trajneri i kampionëve të europës, Jurgen Klopp ka folur me superlativa për portierin e tij, Adrian San Miguel, i cili bëri mrekullinë duke pritur penalltinë e pestë të Chelsea, që i dha fitoren Liverpool.
“Dy javë më parë, unë as nuk e dija se ku ishte Adrian”, ka thënë Klopp për portierin që i dhuroi trofeun të mërkurën. Portieri 32-vjeçar u bë pjesë e Liverpool vetëm dhjetë ditë më parë, kur ai erdhi nga West Ham për t`u bashkuar me skuadrën e Jurgen Klopp.
Mungesa e Alison, bëri që Adrian të luante titullar në Superkupën e Europës. “Ai luajti një ndeshje të jashtëzakonshme pa asnjë përgatitje. Nuk e di kur luajti për herë të fundit për West Ham”, ka thënë Jurgen Klopp duke i thurur elozhe portierit Adrian.