Po shkëlqen me të rinjtë e Chelsea, The Sun: Broja meriton ftesë nga Lampard

Kombëtarja shqiptare duket se së shpejti do të ketë një brez lojtarësh të shkëlqyer. Disa prej tyre i kanë dhënë shenjat e para, duke treguar se janë mes talenteve të dekadës. Një prej tyre është Armando Broja, talenti 18-vjeçar që luan me të rinjtë e Chelsea në Londër. Broja është shndërruar në golashënues, ku në 9 takime me të rinjtë e Chelsea ka shënuar po kaq gola.

Ai ka rinovuar dhe kontratën me “Blutë” e Londrës, teksa pret që të ketë edhe një ftesë në ekipin e parë të Chelsea. Një dorë përë të realizuar këtë ëndërr po i japin dhe mediat britanike. E përditshmja “The Sun”, në një artikull kushtuar disa nga telenteve të Akademisë së Chelsea, lakon dhe sulmuesin shqiptar. Media britanike i kërkon Frenk Lampard që të provojë në ekipin e parë talentin shqiptar. Ja fjalët e “The Sun” për talentin shqiptar: “Broja ndoshta nuk do të jetë në skuadër me Frenk Lampard për Kupë, por ai ka një të ardhme të madhe. Lojtari i Shqipërisë me U-19 ka shënuar 9 gola në 9 ndeshje për këtë sezon dhe po tregon të gjitha shenjat e bërjes së një talenti të lartë. Ai absolutisht që meriton një ftesë”, shkruan “The Sun”, në artikullin e datës 5 janar të këtij viti.

Chelsea i dhuron gola Ajax. Dortmund përmbys Interin

Tetë gola, asnjë fitues në përballje Chelsea-Ajax në Grupin H të Champions League. U mbyll në barazim 4-4 sfida e luajtur në Stamford Bridge, me Chelsea që gaboi mjaftueshëm, pasi i dhuroi dy gola skuadrës mike. Ishte Abraham që në të 2` shënoi autogol në portën e tij, por Jorginho vendosi barazpeshën tre minuta më vonë nga penalltia. Ajax gjeti përsëri avantazhin në të 20` me Promes, ndërsa Arrizbalaga bëri autogol në të 35` duke trefishuar shifrat për Ajax. Pas pushimit të pjesës së parë, miqtë shënuan golin e katërt me Van de Beek në të 55`.

Pas këtij momenti, Chelsea zgjohet. Azpilicueta shënoi në të 63`, ndërsa Blind dhe Veltman u ndëshkuan me të kuq duke e lënë Ajax me 9 lojtarë në fushë. Mjaftoi disavantazhi numerik që Chelsea të shënonte dy golat e abrazimit më pas me Jorginho dhe James. Pas barazimit, Chelsea, Ajax dhe Valencia, që mundi Lille 4-1, ndajnë tre vendet e para me nga 7 pikë secila, duke lënë të hapur gjithçka për kualifikimin.

Përmbysje e çmendur në Signal Iduna Park në Gjermani, ku Dotrmund mundi Interin 3-2 në sfidën e katërt të Grupit F. Martinez dhe Vecino i dhanë avantazhin në pjesën e parë italianve, ndërsa në të dytën Hakimi me dopietë dhe Brandt përmbysën rezultatin duke i dhënë fitoren Dortmund. Gjermanët shkojnë 7 pikë dhe ngjiten në vendin e dytë në grupin F, pas Barcelonës me 8 pikë. Ndërsa Inter është në vendin e tretë me 4 pikë dhe do t`i duhet të luftojë shumë për kualifikimin në ndeshjet e mbetura.

City bën detyrën. Chelsea lë pas krizën

Manchester City ka fituar në transfertë ndaj Everton me rezultatin 3-1. Skuadra e Pep Guardiolës shënoi në të 24` me Garbiel Jesus, ndërsa vendasit barazuan me Dominic Calvert-Lewin në të 33`. Në një moment ndeshja u duk se po shkonte drejt barazimit, derisa Riyad Mahrez shënoi golin e avantazhit për Cityn në të 71` dhe Sterling trefishoi në të 84`.

Me fitoren e të shtunës, City mban vendin e dytë në Premier League me 16 pikë, 5 më pak se Liverpool që fitoi pasditen e të shtunës, duke vendosur një rekord me 7 ndeshje pa humbje apo barazim.

Është rikthyer te fitorja edhe Chelsea që mundi në shtëpi Brighton me rezultatin 2-0. Ishte Jorginho në të 50` që shënoi goline  avantazhit për “Blutë” e Londrës, ndërsa William në të 76` dyfishoi duke i dhënë tre pikë skuadrës së tij. Chelsea ngjitet në vendin e gjashtë me 11 pikë pas fitores të së shtunës.

Në sfidat e tjera, Aston villa barazoi 2-2 West Ham, ndërsa Crystale Palace mundi në shtëpi NorWich. Me shumë vështirësi fitoi dhe Tottenham ndaj Southampton, duke marrë tre pikë me shumë vlerë që e ngjisin në vendin e 4 të Premier League. Wolverhamton mundi gjithashtu në shtëpi Watford me rezultatin 2-0.

Shpërfytyrohet Chelsea, Liverpool pa “frena”

Liverpool pa frena! Kampionët e Europës kanë bërë një tjetër hap përpara në Premier League, duke fituar ndeshjen e gjashtë radhazi në kampionat. Skuadra e Jurgen Klopp ka fituar përballjen me Chelsea në transfertë, duke marrë tre pikë të tjera në kampionat, dhe njëherazi fitoren e 6-të në po kaq javë kampionat. Golin e parë e ka shënuar Alexander-Arnnold në minutën e 14-të, pas një goditje të shkëlyer të dënimit dhe një kombinim perfekt me Mohamed Salah. Më pas ishte Firmino që gjeti rrjetën duke shënuar golin e dytë për Liverpool në të 29`.

Ishte një krosim spektakolar i Robertson nga krahët, që gjen brazilianin në qendër të mbrojtjes dhe fluturon duke gjuajtur me kokë. Topi përfundon në rrjetë,  ndërsa shifrat shkojnë në 0-2 për Liverpool. Pas nisjes së pjesës së dytë, Chelsea mundohet të gjejë rrjetën, dhe fati i buzëqesh në të 71`, kur Kante shënon një gol të bukur nga brenda zonës, pasi kaloi mbrojtësit e Liverpool. Megjithatë, rezultati përfundimtar mbeti 1-2, me Liverpool që shkon në 18 pikë pas gjashtë javësh kampionat, ndërsa Chelsea me 8 pikë mbetet në vendin e 11.

Në sfidat e tjera të Premier League, Arsenal ka fituar me vështirësi ndaj Aston Villa, me rezultatin 3-2. Pepe në të (59`) Chambers në të (81`) dhe Aubameyang në të (84`) shënuan golat e fitores për Arsenal, ndërsa McGinn në të (20`) dhe Uesley në të (60`) shënuan për miqtë. Arsenal ka 11 pikë dhe ndodhet në vendin e 4 të renditjes, ndërsa Aston Villa me 4 pikë ndodhet në vendin e 18-të.

Me dy gola dhe pa asnjë pikë ka dalë Manchester United nga fusha e West Ham, me këto të fundit që kanë bërë një ndeshje spektakolare duke mundur skuadrën e Solskjaer. Yarmolenko në të (44`) dhe Cresswell në të (84`) ishin autorët e golave për West Ham. Pas humbjes, United mbetet në vend të 8 me po kaq pikë, ndërsa West Ham mban vendin e 5 në renditje me 11 pikë.

Chelsea humb ‘çelsin’, City bën ‘poker’, United merr 1 pikë

Janë luajtur të shtunën ndeshjet e javës së katërt në Premier League. Manchester City ka fituar bindshëm 4-0 ndaj Brighton, duke marrë kryesimin provizor të renditjes. Ishte De Bruyne ai që hapi serinë e golave duke shënuar që në minutën e 2-të sfidës. Më pas Aguero gjeti golin e dytë për  skuadrën e tij në minutën e 42-të. Pas pushimit ishte përsëri Aguero që gjeti rrjetën, duke trefishuar rezultatin në minutën e 55`, për ta vulosur me golin e Silvës në minutën e 79`.

Një tjetër dështim i Chelsea, që ka barazuar në shtëpi me rezultatin 2-2 me Sheffield United. ishte Abraham që shënoi në minutën e 19-të për Blutë e Londrës, ndërsa në të 43`, Abraham dyfishoi për të tijët. Por pas pushimit të pjesës së parë, Robinson ngushton shifrat duke shënuar në të 46`. Shifrat do të vuloseshin një minutë par fundit të lojës kur Zouma shënoi një autogol. Pas barazimit të së shtunës, Chelsea mbetet në vendin e 10-të të Premier League me 5 pikë.

Në barazim 1-1 është ndalur dhe Manchester United në fushën e Southampton. James shënoi për të skuadrën e Solskajer në minutën e 10-të të pjesës së parë, por vendasit barazuan me Veestergaard në të 58`, duke mbajtur të pandryshuar rezultatin deri në fund të ndeshjes. Pas këtij barazimi, edhe United mbetet në vendin e 7-të të renditjes me vetëm 5 pikë pas katër javësh kampionat.

Sa u përket ndeshjeve të tjera, Crystal Palace ka mundur 1-0 Aston Villan, Leicester ka fituar 3-1 ndaj Bournemouth, ndërsa West Hammundi 2-0 Norwich. Barazimi tjetër i ndeshjeve të së shtunës pasdite në Permier League ishte ajo mes Newcastle dhe Watford, që e mbyllën takimin me nga një gol respektivisht.

Pas ‘dajakut’ nga Liverpool dhe M.United, Chelsea e katranos me Leiceseter

Chelsea nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Leicester në ndeshjen e dytë të kampionatit. Pas humbjes 4-0 nga Manchester United në startin e Premier League dhe humbjes në Superkupën e Europës ndaj Liverpool, skuadra e Frank Lampard ka marrë një tjetër goditje brenda pak ditësh.

“Blutë e Londrës” e nisën mirë takimin, pasi kaluan në avantazh me Mount në minutën e 7-të, që realizoi pas një gafe të mbrojtësit vendas. Megjithatë, ndonëse përballë tifozëve të vetë, skuadra e Lampard nuk arriti të dominonte takimin. Gjithçka ishte në kushte të barabarta, me “Dhelprat” që tentuan të paktën 12 herë portën, derisa në minutën e 67-të gjetën rrjetën.

Pas një goditje nga këndi, Nididi gjen rrjetën duke shtyrë topin me kokë në drejtim të saj. Gjithçka vendoset në barazpeshë, ndërsa deri në fund shifrat mbeten të pandryshuara. Ndërkohë, pas ndeshjes së dytë të kampionatit, Chelsea e sheh veten në vendin e 15-të të Premier League. Ndërkohë, Sheffield ka mundur Crystal Palace me rezultatin 1-0, me golin e shënuar nga Lundstram në minutën e 47`.

Klopp: Dy javë më parë se njihja portierin Adrian

Liverpool u shpall mbrëmjen e të mërkurës fitues i Superkupës së Europës, duke mundur Chelsea në “Vodafonë Park Arena” të Stambollit. Një ndeshje e çmendur, por me metropolin turk që i solli përsëri fat “The Reds”, pas suksesit 14 vjet më parë kur Liverpool fitonte Champions League ndaj Milanit.

Pas 120 minutash lojë, me ndeshjen që përfundoi 2-2, u desh gjuajtja e penalltive dhe pritja spektakolare e Adrian, që Liverpool të ngrinte lartë trofeun e parë për sezonin e ri të futbollit. Trajneri i kampionëve të europës, Jurgen Klopp ka folur me superlativa për portierin e tij, Adrian San Miguel, i cili bëri mrekullinë duke pritur penalltinë e pestë të Chelsea, që i dha fitoren Liverpool.

“Dy javë më parë, unë as nuk e dija se ku ishte Adrian”, ka thënë Klopp për portierin që i dhuroi trofeun të mërkurën. Portieri 32-vjeçar u bë pjesë e Liverpool vetëm dhjetë ditë më parë, kur ai erdhi nga West Ham për t`u bashkuar me skuadrën e Jurgen Klopp.

Mungesa e Alison, bëri që Adrian të luante titullar në Superkupën e Europës. “Ai luajti një ndeshje të jashtëzakonshme pa asnjë përgatitje. Nuk e di kur luajti për herë të fundit për West Ham”, ka thënë Jurgen Klopp duke i thurur elozhe portierit Adrian.

Superkupa e Europës shkon për Liverpool, Chelsea dorëzohet te penalltitë

Liverpool dhe Chelsea janë përballur mbrëmjen e së mërkurës në “Vodafonë Park Arena”  të Stambollit, për Superkupën e Eurpopës. Një takim mjaft emocionues, që përfundoi me rezultatin 2-2 pas 120 minutash lojë, ndërsa fati i buzëqeshi Liverpool pas gjuajtjeve të penalltive. Ndeshja ka qenë historike për shumë arsye, pasi jo vetëm se për herë të parë përballeshin në finalen e Superkupës dy ekipe angleze që fitonin dy trofetë më të rëndësishëm të UEFA-s, por edhe se në këtë përballje për herë të parë në histori, treshja e gjyqtarëve, ishin arbitre femra nga Franca.

Ndeshja ka nisur në ekuilibër të plot për të dyja skuadrat. Si Klopp ashtu dhe debutuesi Lampard zbritën në formacionet fillestare më të mirët e lojtarëve që kishin në dispozicion, të rreshtuar në 4-3-3 të pastër. Ishte Giroud ai që gjeti rrjetën i pari për Chelsea në pjesën e parë, pas një aksioni dhe pasimi të shkëqlyer të Pulisic në minutën e  36`. Tre minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Sadio Mane vendosi barazpeshën në fushë, duke barazuar nga brenda zonës pas një dalje të gabuar të Arrizabalagas.

Më pas loja është bërë më agresive, me të dyja skuadrat që shkojnë disa herë respektivisht në portat e njëra-tjetrës. Liverpool i shkoi disa herë afër golit, me një rast kur Salah mund të kishte vendosur ndeshjen 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, por portieri i Chelsea bëri mrekulli, duke i mohuar një gol të sigurt. Më pas ishte Chelsea që gjeti rrjetën, por arbitrja franceze sinjalizoi pozicion jashtë loje duke i mohuar golin të besuarve të Lampard.

Por pavarësisht rasteve, koha e rregullt është mbyllur me rezultatin 1-1. Pas pesë minutash nga koha shtesë ka qenë përsëri Mane ai që ka shënuar golin e avantazhit për Liverpool, ku ashtu si në golin e parë është asistuar nga Firmino. Mirëpo avantazhi nuk ka zgjatur shumë pasi Chelsea ka barazuar me Jorginho, që shndërroi në gol një 11 metërsh në minutën e 101, duke vendosur barazpeshën në 2-2. Me këtë rezultat janë mbyllur dhe 30 minutat e kohës shtesë duke bërë që ndeshja gjithçka të vendoset nga pika e bardhë e penalltisë, ku fati i buzëqeshi Liverpool.

Superkupa e Europës, UEFA cakton tre femra për të gjykuar Liverpool-Chelsea

UEFA ka përcaktuar arbitren Stephanie Frappart, nga Franca, si femrën që do të vendosë drejtësi në finalen e Superkupës së Europës, që do të luhet më 14 gusht mes Liverpool dhe Chelsea në Stamboll. Kjo do të jetë hera e parë që një arbitre femër do të gjykojë një ndeshje kaq të rëndësishme të futbollit evropian për meshkuj, ndeshje e cila hap zyrtarisht sezonin e ri sportiv për klube në të gjithë Europën. Finalja e Superkupës së Europës do të diskutohet mes Liverpool dhe Chelsea, dy ekipet që fituan praktikisht Champions League dhe Europa League.

Takimi do të zhvillohet në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll. Në muajin korrik, Frappart gjykoi finalen e Kupës së Botës për kombëtaret e femrave, që u mbajt në Francë, ku në finalen e madhe u përballën SHBA dhe Hollanda. Ajo gjithashtu ka gjykuar gjysmëfinalen e femrave në Euro 2017 mes Hollandës dhe Anglisë. Karriera e saj ka ardhur në ngritje në sektorin e arbitrimit në Francë. Sezonin e kaluar, Stephanie Frappart gjykoi u bë arbitrja e parë femër që gjykonte një ndeshje futbolli në Ligue 1, mes Amiens dhe Strasburgut.

Ashtu si në finalen e Kupës së Botës për femra, Frappart do të ndihmohet nga bashkëatdhetarja e saj Manuela Nicolosi dhe Michelle O’Neill nga Republika e Irlandës. Zyrtari i katërt do të jetë Cuneyt Cakir nga Turqisë. Ky vendim i komitetit të arbitrimit në UEFA është përgëzuar nga presidenti i këtij institucioni, Aleksandër Ceferin. “Unë e kam thënë disa herë, që potenciali i futbollit të femrave nuk ka kufij, dhe jam i kënaqur që Stephanie Frappart është emëruar zyrtarisht si arbitre kryesore për Superkupën e këtij viti”.

Zyrtare: Juventus prezanton Maurizio Sarrin

Maurizio Sarri është trajner i Juventusit. Të gjitha dilemat janë shuar këtë fundjavë, teksa kampionët e Italisë kanë publikuar në faqen zyrtare të tyre lajmin për emërimin e Sarrit trajner të ekipit për sezonin e ardhshëm.

Sarri mbylli një sezon të shkëlqyer me Chelsea në Londër, teksa u shpall fitues i Europa League, ndërsa në fund të sezonit e renditi klubin anglez në vendin e tretë, pas Liverpool dhe Manchester Cityt.

Pasi ka ngritur trofeun e tij të parë kontinental, tani Maurizio Sarri kthehet në Itali, ku ai ka trajnuar gjatë gjithë karrierës së tij, me përjashtim të eksperiencës që pati me Chelsea për një sezon.

Sarri ka  firmosur një kontratë tre vjeçare me Juven, e cila përfundon më 30 qershor të vitit  2022. Gjashtëdhjetë vjeçari, i lindur në Napoli, ka jetuar gjatë në Toskanë. Në vitin 2001, pasi la futbollin, Sarri nisi karrierën e tij si trajner me kohë të plotë.

Ai ka drejtuar shumë klube gjatë karrierës së tij si trajner në Itali, ku padyshim ndër eksperiencat më të suksesshme mbeten ato me Empolin dhe Napolin, me këtë të fundit që e drejtoi për pesë sezone.

Pavarësisht se me këtë të fundit nuk arriti të fitonte “Scudetton” në Itali, Sarri arriti që për tre sezone radhazi, Napoli të dilte në vend të dytë  në kampionat, duke grumbulluar përkatësisht nga 82, 86 dhe 91 pikë në sezonet 2015/2016; 2016/17 dhe 2017/18.

Negociatat mes Sarrit dhe Juventusit nisën disa javë më parë, fill pas shkarkimit të Masimiliano Allegrit. Ish-trajneri i Chelsea zhvilloi dhe një takim me presidentin Agnelli në prani të menaxherit shqiptar, Fali Ramadani, vetëm pak orë para finales së Europa League, ku Chelsea triumfoi ndaj Arsenalit.

Skip to toolbar