Policia greke finalizoi një operacion të madh kundër drogës të shtunën, duke sekuestruar një sasi prej 1181 kg kokainë e pastër, vlera e së cilës llogaritej në mbi 50 milionë euro. Në pranga u vunë disa shtetas shqiptarë, të njohur për aktivitetin e tyre kriminal në Greqi. Operacioni i bujshëm nuk ishte vetëm rezultat i hetimeve të autoriteve ligjzbatuese greke.
Në të, veç DEA-s amerikane, që dha e para sinjalin për zbulimin e drogës, është përfshirë dhe Policia e Shtetit Shqiptar. Në një komunikatë për shtyp, Policia e Shtetit tregoi rolin që pati në këtë aksion, duke u shprehur se luajti rol të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë me hetime proaktive.
“Në këtë operacion Policia e Shtetit shqiptar mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me hetime pro-aktive që u zhvilluan duke dhënë një ndihmesë dhe kontribut në identifikimin e personave të organizatës, roleve te tyre individuale dhe në mënyrën e funksionimit të organizatës kriminale, gjë që na mundësoi të identifikohen dhe konstatohej plotësisht përbërja dhe veprimtaria e saj.
Operacioni është në vijim dhe Policia e Shtetit është duke kryer detyrat e saj në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë operacion për identifikimin e persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në komunikatë.