Kombëtarja zhvendoset në Frankfurt, katër lojtarë nuk udhëtojnë drejt Gjermanisë

KOMBËTARE


Kombëtarja shqiptare e futbollit është nisur mëngjesin e kësaj të diele drejt Frankfurtit, aty ku deri në datën 6 qershor do të vijojë përgatitjet për ndeshjen e parë ndaja Islandës. Ekipi është nisur drejt Frankfurtit në orën 08:00 të mëngjesit, ndërsa pasditen ditës së sotme skuadra do të kryejë vetëm një seancë stërvitore.

Por jo gjithçka shkoi ashtu siç duhej, pasi skuadra u nis drejt Gjermanisë me mungesa të rëndësishme, pasi nuk udhëtuan mesfushori Ledian Memushaj, mbrojtësit Egzon Binaku dhe Marash Kumbulla, si dhe sulmuesi i krahut Eros Grezda.

Megjithatë, trajneri Edy Reja ka vendosur të grumbullojë vetëm një lojtar zëvendësues, Lorenc Trashin, që u bashkua gjatë ditës së shtunë me ekipin.

Ekipi përfaqësues do të stërvitet në një kompleks stërvitor në Frankfurt deri në datën 5 qershor, ndërsa në datën 6 qershor në orën 09:00 të paradites do të niset drejt kryeqytetit të Islandës, aty ku dy ditë më pas do të zhvillohet ndeshja e tretë kualifikuese për këtë edicion të Euro 2020.



Skip to toolbar