Komisioni për 25 Prillin, Gogu – Alibeajt: Mblidhni veten, vendosni rregull

Më të fundit


Ka nisur sërish me debate mbledhja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit.

Zv/kryetari i këtij komisionit, deputeti i PS-së, Toni Gogu, i bëri thirrje kryetarit të komisionit, Enkelejd Alibeaj që të mbledhë veten dhe të vendosë rregull në mbledhje.


“Sesi e besoni se mund të drejton një komision të tillë vetëm ju e dini. Ne kemi durimin e mjaftueshëm që sot të ripërsërisim kërkesën tonë që ti rikthehemi logjikës së ligjit. Zoti kryetar, mblidhni veten, vini rregull dhe rend në punimet e këtij komisioni. Nuk mund të na pengoni të ushtrojmë të drejtën për votimin e rendit të ditës siç na e garanton Kushtetuta. Mblidhni veten dhe vini rregull sepse nuk mund të na pengoni për zgjedhjen e sekretarit të Komisionit. Mblidhni veten dhe vini rregull në komision se nuk na ndaloni të votojmë dhe miratojmë së bashku rregulloren e brendshme. Nevojitet me urgjencë të mblidhni veten dhe të drejtoni me maturi”, tha Gogu.

Mazhoranca socialiste kërkon që të vihet në votim rendi i ditës si dhe të zgjidhet sekretari i Komisionit.

Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se kërkesa e Gogut është e përsëritur. Ai u shpreh se nuk ka pse të votohet rendi i ditës pasi vendoset nga kryetari i komisionit.

“Besoj se kërkesa e bërë nga kolegu është e përsëritur. Rendi i ditës caktohet nga kryetari. Nëse anëtarët kanë çështje për të përfshirë në rendin e ditës ia propozojmë kryetarit, por nuk votohet nga anëtarët rendi i ditës.  Sa i përket rregullores, ka një draft të propozuar nga kryetari, nisi shqyrtimi, kemi kaluar fazën e miratimit në parim. Drafti ka marrë votë unanime nga të gjithë anëtarët e komisionit”, tha Bardhi.

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit është ngritur për të hetuar veprimtarinë e organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.




Skip to toolbar