Rreth 550 tonë karburant me cilësi të keqe janë bllokuar në rafinerinë e naftës në Ballsh, duke i dhënë kështu të drejtë ankesave të shumtave të qytetarëve për cilësinë e karburantit që shitet, pasi edhe kjo sasi e bllokuar ishte bërë gati për t’u hedhur në tregun shqiptar. Megjithatë, subjekti kishte kërkuar vetë kontroll, para se t’i hidhte në treg, duke i shpëtuar kështu edhe ndonjë gjobe të mundshme.
Përmes një laboratori të lëvizshëm, i cili i kryen analizat në mostrat e karburantit në 30 minuta deri në 1 orë, Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial zbuloi se karburanti ishte jashtë të gjitha parametrave për tregtim. Rezervuari është bllokuar dhe karburanti nuk do të hidhet në treg, por do të vazhdojë për përpunim të mëtejshëm. Më tej do të bëhet sërish rikontroll dhe vetëm me përmirësimin e cilësisë do të mund të hidhet në treg.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikë, Belinda Balluku tha se ishte vetë subjekti që kishte kërkuar kontroll, në mënyrë që të certifikohej produkti që do hidhet në treg, por rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin. “Lufta kundër informalitetit është frontale, informaliteti cilësor është po aq i rrezikshëm dhe i dëmshëm sa informaliteti fiskal. Ministria po kryen kontrolle të befasishme në të gjitha subjektet, në të gjithë territorin. Nuk kemi lënë asgjë për në shtator, po punojmë çdo ditë duke analizuar gjithë cilësinë në treg, duke krijuar edhe raste shembujsh, për të qenë të qartë që nga kjo luftë nuk do shpëtojë asnjë subjekt dhe nuk përbën për ne asnjë lloj problematike emri i subjektit se sa i madh apo i vogël është”, deklaroi Balluku.