Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, i ka drejtuar një letër vendeve të Bashkimit Europian përmes të cilës u kërkon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas Engel është koha që BE të mos veprojë me dy standarde por të miratojë sa më parë liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë.
“Nëse qytetarët kosovarë trajtohen si çdo vend tjetër i Ballkanit, do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, por pamundësia për të dhënë liberalizimin e vizave tregon se BE po vepron me dy standarde për popullin e Kosovës”, shkruan ndër të tjerash në letrën e tij Engel.
Letra i është dërguar presidentit të Komisioni Evropian, presidentit të Këshillit të Evropës, si dhe krerëve të 28 shteteve të Bashkimit Evropian, më 4 tetor.
“Ne, pra, nxisim vendet anëtare të BE-së dhe Këshillin e BE-së që t’u përmbahen rekomandimeve të Parlamentit dhe Komisionit të BE-së, certifikoni përmbushjen e Planit të Liberalizimit të Vizave nga Kosova, dhe jepeni liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesë të mëtejshme”, shkruhet në letër.