Kopshti Botanik, gjykata rrëzon Universitetin e Tiranës

AKTUALITET


Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me Kopshtin Botanik. Në padinë e tyre Universiteti i Tiranës dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës kundërshtojnë vendimin e Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nga Universiteti te Bashkia e Tiranës.

Gjykata Administrative e Apelit argumentoi se padia është ngritur në kundërshtim me ligjin pasi organi që mund të shqyrtojë këtë akt të Këshillit të Ministrave është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë. Për këtë qëllim padia e paraqitur nga Universiteti rrëzohet nga Gjykata Administrative e Apelit dhe nuk merret në shqyrtim.

Kopshti botanik është kthyer në një çështje “lufte’ mes Bashkisë dhe Universitetit të Tiranës, që pas vendimit të 17 korrikut 2019 nga Këshilli i Ministrave, ku vendosi kalimin e tij në pronës të Bashkisë Tiranë, duke ia hequr këtë të drejtë Universitetit të Tiranës.

Në vendimin e qeverisë sqarohet se pavarësisht kalimit të Kopshtit Botanik si pjesë e pasurive të paluajtshme të Bashkisë së Tiranës, ka një marrëveshje me Universitetin e Tiranës që i garantohet ushtrimi i aktivitetit mësimor dhe veprimtarive kërkimore-shkencore sa herë që është e nevojshme. Gjithashtu nga ana tjetër Bashkisë së Tiranës i është ndaluar të ndryshojë destinacionin e pasurive që i kalojnë në pronësi.



Skip to toolbar