#Koronavirusi Ekspertët: Kemi shumë pak të dhëna për burimin dhe rrugët e transmetimit.

AKTUALITET


RealStory i të Hënës iu dedikua çështjes së “Koronavirusi”. Për të folur për këtë temë dhe sa rrezikon Shqipëria, në “Real Story” në News24 ishte Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, infektologu Pëllumb Pipero, ekspertja Silva Bino, dhe në lidhje direkte nga Pekini ishte gazetari Edison Myrteza.

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha se e veçanta e këtij virusi është fakti që është i ri dhe që nuk dihet burimi dhe cilat janë rrugët e transmetimit.

“E veçanta e këtij virusi është që është i ri por jo i panjohur nga praktika mjekësore. Është një grup i madh virusesh nga i cili kemi të dhëna nga SARS etj. Çdo vit pësojnë ndryshime gjenetike. E veçanta tjetër apo ‘misteri’ është që ne mjekët kemi shumë pak të dhëna për këtë virus. Kemi shumë pak të dhëna për burimin e virusit. Kemi pasur një mjek të vjetër që thoshte se burimi i viruseve janë derrat”, deklaroi Pipero.

Silva Bino tha se derri si burim virusesh nuk ka lidhje me ushqimin që konsumon por me ngjashmërinë me njeriun. “Derri është më i adaptuar tek njeriu jo se ushqehet keq. Nuk ka lidhje me atë. Ka lidhje me receptorët tek derri që ngjajnë me njeriun prandaj shërben si një urë. Në histologji studiojmë mëlçinë e derrit”, deklaroi Bino.

Pipero theksoi se ky virus nuk transmetohet nga sytë por nga spërklat e pështymës që mund të merren nëpërmjet duarve nga objektet që preken. Ai tha se Shqipëria është më pak e rrezikuar por janë marrë masat.

“Sa kohë ka të panjohura ka edhe një lloj frike. ka të panjohura për burimin e infeksionit dhe rrugëve të transmetimit. Nuk transmetohet nga syri tek syri këtë e them me siguri të plotë. bëhet fjalë të transmetohet nga duart e palara që prekin një objekt që është spërkatur me spërka pështyme nga një person i infektuar dhe me duar të palara e çojmë në fytyrë. Nuk mund të kalojë nga syri tek syri. Duke mos ditur burimin e infeksionit nuk dimë rrugën e transmetimit. Dimë që transmetohet përmes spërklave të pështymës. Nga të dhënat që kemi lexuar ende nuk kemi një rast të transmetimit nga njeriu tek njeriu jashtë Kinës. Është një rast i dyshuar në Vietnam. Ne mendoj jemi më pak të rrezikuar por kjo nuk do të thotë që të mos merren masa që rekomandon OBSH që Ministria e Shëndetësisë i ka marrë”, deklaroi Pipero. /RealStory



Skip to toolbar