Kosova voton për qeverinë e re

KOSOVA


6 tetori shënon ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Qytetarët, me të drejtë vote, zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të plotësuar 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës, që do të përbejnë edhe qeverinë e re.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe 1 milionë e 937 mijë e 869 persona pritet të votojnë për 25 subjektet politike të regjistruara, mes të cilave 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.

Në gjithë territorin e Kosovës janë hapur 895 qendra votimi me 2,547 vendvotime.

Me hapjen e qendrave të votimit, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka bëri thirrje për mbarëvajtje të procesit, pasi çdo parregullsi dëmton Kosovën.

“I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që të kenë kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh se çdo gjë që ndodh gjatë ditës do t’i faturohet Kosovës”, tha Daka.

Zgjedhjet e parakohshme pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale e Hagës, për tu pyetur në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.



Skip to toolbar