Kosovë: Opozita kërkon bashkërendim të qeverisë me SHBA dhe BE për situatën në veri

KOSOVA


Udhëheqësit e partive politike opozitare në Kosovë i kërkuan të martën qeverisë që të bashkërendojë veprimet me aleatët perëndimorë për tejkalimin e krizës në veriun e Kosovës, pas tërheqjes së punonjësve serbë nga të gjitha institucionet vendase për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Udhëheqësit e Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërin e Kosovës u pritën të martën nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një takim të rrallë për të diskutuar situatën e re në veri.


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha pas takimit se vendi ka hyrë në një periudhë me mundësi përkeqësimi të situatës.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e dinë në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të marrë për ta mbajtur situatën në kontroll”, tha zoti Krasniqi duke nënvizuar se Kosova duhet të ndërmerr hapa të përgjegjshëm në tejkalimin e situatës aktuale.

“Sot e kemi një situatë të re e cila ka mundur të shmanget. Papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit të duhur me aleatët kryesorë të Kosovës duket se ka sjellë një momentuum që ka mundur të shmanget. Sidoqoftë ne jemi këtu ku jemi dhe është përgjegjësi e qeverisë por edhe obligim i të gjithëve që Kosovën ta vendosim si prioritet para çfarë do lloj konsiderate tjetër politike apo partiake që mund ta kemi në situata tjera”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se gjatë takimit nuk parë ndonjë plan të qeverisë për zgjidhjen e gjendjes së re të krijuar dhe gatishmëri për bashkërendim të plotë me aleatët e vendit.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ne besojmë se koordinimi i ngushtë me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me institucionet e sigurisë amerikane, me aleatët tanë në Uashington dhe Bruksel, është zgjidhja e vetme adekuate në situatën e tanishme që është Kosova. Kosova nuk duhet bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd e në koordinime shumë më të thella se sa kaq, por që duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”, tha zoti Abdixhiku.

Ai tha se në përballje të tilla është jetike që Kosova të bashkërendohet me aleatët e vet.

“Pra një qeveri që i kërkon popullit të vet që të zgjedh mes aleatëve historik dhe ligjshmërisë ka bërë që në fillim gabim. Ne kërkojmë që kjo qeveri e Kosovës të sigurojë edhe ligjshmëri edhe aleatët e vet”, tha zoti Abdixhiku.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, doli para kohe nga takimi. “Zoti Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”, shkroi ai në rrjetet sociale duke theksuar se për të është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishen marrëdhëniet me aleatin kryesor të sigurisë së Kosovës.




Skip to toolbar