KQZ hap kutitë e Lezhës. Rinumërohen 11 qendra votimi

AKTUALITET


Komisioni Qendror Zgjedhor ka pranuar ankesën e bërë nga kandidati i Partisë Konservatore, Eduard Ndocaj për hapjen e kutive të votimit në 11 qendra në qytetin e Lezhës për shkak se ka prova për manipulim votash. Gjatë mbledhjes së të premtes është parashikuar që KQZ të hapë kutitë dhe të realizojë rinumërimin e 11 qendrave të votimit në Lezhë.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 10.00.  Ish deputeti kaubojs Eduard Ndocajt ishte kandidat për kryebashkiak në Lezhë. Ai pretendon se në 11 qendra votimi në bashkinë e Lezhës ka pasur më shumë vota sesa votues dhe për këtë arsye do të hapen kutitë për të parë nëse ka apo jo shkelje.

Kodi Zgjedhor parashikon se nëse numri i votave ndikon në rezultatin e zgjedhjeve atëherë shpallen qendrat e pavlefshme.  Edhe nëse 11 qendra që do të hapen shpallen të pavlefshme, Pjerin Ndreu sërish mbetet në avantazh, pasi ka një diferencë prej rreth 12 mijë votash.

Ankesa e Ndocajt për hapjen e kutive u pranua nga KQZ, ndryshe nga vendimi i marrë për të mos pranuar ankesën e bërë nga Bindja Demokratike e cila kërkoi hapjen e kutive në Sarandë.

Eridjan Salianji sqaroi se ndryshe nga Bindja Demokratike, Partia Konservatore e Ndocajt ka depozituar prova që dëshmojnë se shifrat nuk përputhen. Pra ka më shumë vota se votues.

 “Të paktën kjo forcë na ka evidentuar që në bazë të dokumentacionit zgjedhor që është vënë në dispozicion ekziston një mospërputhje aritmetikore dhe logjike e personave që kanë votuar dhe votave që janë në kuti. Dhe përderisa kjo mospërputhje ekziston, unë bashkohem me kërkesën. Me gjëra konkrete le t’i hapin kutitë në këtë komision. Pra ky Komision nuk duhet të jetë i mbylljes së kutive, por i hapjes së kutive dhe transparencës”, shtoi më tej Salianji.

Disa ditë më herët KQZ rrëzoi kërkesën e Bindjes Demokratike për të hapur kutitë e votimit në Sarandë.



Skip to toolbar