Kreu i Policisë së Shtetit, Rrumbullaku ka realizuar takime të rëndësishme me zyrtarë të DEA-s në SHBA. Ditën e djeshme ai bisedoi me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Todd Robinson, ndërsa sot u takua edhe me zv. administratorin e DEA-s, George Papadopoulos, gjatë Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, në San Diego, Kaliforni.
Kjo konferencë zhvillohet në një klimë shumë miqësore dhe përfaqëson një gamë të madhe aktivitetesh, që përfshin sesione me tematika të ndryshme, ekspozita të pajisjeve të avancuara për parandalimin dhe goditjen e krimit, ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe zhvillimin e takimeve bilaterale me drejtues të policive të vendeve të tjera, të institucioneve të agjencive të zbatimit të ligjit, shoqatave dhe organizatave që operojnë në fushën e parandalimit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Në këtë konferencë, administratori i DEA-s shoqërohej nga drejtori i operacioneve të kësaj agjencie dhe nga agjenti special që mbulon Evropën dhe Ballkanin, me të cilin u diskutuan operacionet e suksesshme dhe mundësitë e forcimit të bashkëpunimin dypalësh.
Gjatë takimit, Papadopoulos nënvizoi se drejtuesit e DEA-s ndihen të nderuar që kanë një partner si Policia shqiptare, bashkëpunimi me të cilën është vendosur mbi baza të shëndosha të besimit reciprok. Ai theksoi se për vetë pozicionin gjeografik që Shqipëria ka dhe të rëndësisë strategjike si një nga rrugët e trafikimit të drogave të forta, është e domosdoshme që ky bashkëpunim të vijojë dhe të forcohet duke u ngritur në nivele më të larta të përfaqësimit.
Papadopoulos e përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për rezultatet ambicioze të Policisë së Shtetit, në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe për goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së drogave në vend. Ai evidentoi se DEA ka vlerësuar në vijimësi se bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri është gjëja e duhur, me vendin e duhur dhe me njerëzit e duhur. Ai e falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i është ofruar përfaqësuesve të kësaj zyre, të cilët mbulojnë Shqipërinë. Gjithashtu, z. Papadopoulos falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe nëpërmjet tij strukturat për hetimin e krimit të organizuar, për efektivitetin në shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe reagimin e menjëhershëm për çdo informacion të marrë prej tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e falëndëroi z. Papadopoulos, për takimin, dhe i shprehu atij, mirënjohjen për DEA-n, për besimin që i është dhënë Policisë së Shtetit dhe veçanërisht për informacionet me vlerë që kanë shkëmbyer.
Drejtori i Përgjithshëm informoi përfaqësuesit e lartë të DEA-s, për zhvillimet në organizatën e Policisë së Shtetit, të cilat kanë sjellë mjaft ndryshime, qoftë strukturore ashtu edhe menaxheriale duke qenë se i përgjigjen në tërësinë e tyre zhvillimeve mjaft pozitive në institucionet e drejtësisë.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm siguroi përfaqësuesit e DEA-s se trafikimi i drogave sintetike, do të mbetet prioritet i strukturave të Policisë së Shtetit. Ai e vuri theksin në bashkëpunimin mjaft të mirë me përfaqësuesit e kësaj agjencie, me FBI-në dhe me CIA-n, për fushat e kompetencave të këtyre agjencive. Nga ana tjetër vlerësoi nevojën e domosdoshme për forcimin e këtij bashkëpunimi, për t’iu përgjigjur me sa më shumë efiçenca situatave të krijuara kohët e fundit, sidomos rritjes së aktivitetit kriminal të grupeve shqiptare të trafikimit të drogave, por çka është më e rëndësishme për parandalimin e krimeve të rënda, të cilat kanë ndodhur në Shqipëri për shkak mosmarrëveshjeve ndërmjet grupeve kriminale që ushtrojnë aktivitet kryesisht në vendet e origjinës së drogave të forta.
Drejtori i Përgjithshëm vijoi duke garantuar koleget e DEA-s se Policia e Shtetit do të vijojë të mbetet e përkushtuar për parandalimin dhe goditjen e drogave të forta dhe do të vijojë të jetë partner serioz dhe i besueshëm, tek i cili mund të mbështeten në çdo kohë dhe për çdo gjë. Ai falënderoi DEA-n, në mënyrë të veçantë për mbështetjen që i siguroi gjatë zhvillimit të operacionit të fundit policor, që mundësoi goditjen e një prej eksponentëve mjaft të njohur të krimit të organizuar, i cili ushtronte aktivitetin e tij kriminal gjatë 20 viteve të fundit në vendin tonë.
Në përfundim të takimit, Papadopoulos e ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për një vizitë pranë zyrave të agjencisë në një kohë të përshtatshme në interes të hetimeve të përbashkëta.