Pesë parti të djathta, aleate të Partisë Demokratike, kanë vendosur të bashkohen duke krijuar Grupin e Qendrës së Djathtë. Pjesë e këtij grupi janë PR, PDK, PAA, LZHK, PBDNJ.
Krerët e të 5 partive Fatmir Mediu, Agron Duka, Nard ndoka, Dashamir Shehi e Vangjel Dule synojnë që përmes këtij grupimi të imponojnë respektimin e standardeve demokratike në zgjedhje.
Kryesore në kërkesat e tyre është ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke propozuar modelin e listave të hapura. Përmes këtij ndryshimi, kryetarët e këtyre forcave politike bien dakord se: garantohet që vota e qytetarëve shkon tek kandidatët që ata duan dhe jo tek kandidatët që paracaktojnë liderët e partive politike.
“Partitë tona, në të njëjtën linjë edhe me aksionin opozitar janë bashkë jo vetëm në betejën kundër krimit dhe korrupsionit zgjedhor, por edhe keqqeverisjes së Rilindjes. Në të njëjtën linjë me kërkesën e opozitës së bashkuar, ky forum i unifikuar politik për “Zgjedhje Të Lira” është në betejën e hapur politike kundër Rilindjes dhe i vendosur në kërkesën për zgjedhje me standarde demokratike pa Edi Ramën kryeministër”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 5 partive.