Krimet e Rënda lënë në burg pa afat Redjan Rrajën, atentatorin e prokurorit

AKTUALITET


Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur “burg pa afat” për atentatorin e prokurorit Arjan Ndoja që u arrestua tre ditë më herët. Redjan Rraja ishte i pranishëm në gjykatë, ndërsa pavarësisht pretendimeve të avokatit, me kërkesë të dy prokurorëve Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj gjykata e ka lënë në burg.  Seanca që zgjati rreth një orë u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi sipas prokurorëve përbën sekret hetimor.

Seanca e masës së sigurisë ka zgjatur më shumë se një orë dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, ku janë shqyrtuar kushtet e arrestimit të Rrajës, i dyshuar si i përfshirë në atentatin e 1 nëntorit ndaj makinës ku udhëtonin Arjan Ndoja, Aleksandër Laho dhe Andi Maloku.


I pyetur më herët për ngjarjen nga ana e prokurorisë,  Redjan Rraja ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë sipas burimeve “se po largohej me makinën e tij drejt Italisë për punë personale”.

Dosja drejtohet nga dy prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj. Ndaj Rrajës rëndon akuza për veprat penale “vrasje të funksionarëve publikë”, “vrasje e mbetur në tentativë” e “armëmbajtje pa leje”, për të cilat është kërkuar masa e arrestit me burg. Ai u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.

Në momentin e arrestimit në Shkodër në pikën kufitare të Muriqanit, i janë sekuestruar edhe dy telefona celularë të cilat nuk janë zhbllokuar ende nga grupi hetimor, por cilësohen si në provë kyçe që mund të çojë në zbardhjen e kontakteve me persona të përfshirë në këtë ngjarje si dhe itinerarin e lëvizjeve të tij.




Skip to toolbar