Krimi në Prishtinë/ Policia zbardh detaje, të përfshira dy grupe kriminale

KOSOVA


Prishtina u trondit një natë më parë nga të shtëna me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash në Prishtinë.

Si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë një person dhe pesë të tjerë u plagosën.

Mediat në Kosovë raportojnë se pesë personat që u dërguan në QKUK janë: Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi. Gjithë konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë – të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe policia e Kosovës, duke njoftuar se rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë në bashkëpunim”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas policisë përplasja ka ndodhur mes dy grupeve në Kosovë.

Njoftimi i policisë:

“VRASJE E RËNDË NË BASHKËKRYERJE /ARMËMBAJTJE PA LEJE – Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë /01.09.2024 – 22:04. Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e  plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion.”



Skip to toolbar