Kriza qeverisëse në Itali, vijojnë negociatat. Conte: Gati për një mandat të dytë, pa Salvinin

AKTUALITET


Vijojnë negociatat mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes 5 Yjet për të krijuar qeverinë e re dhe për të zgjedhur një kryeministër të ri pas dorëheqjes së Giusepe Conte.

Takime janë zhvilluar gjatë mbrëmjes së të shtunës ndërkohë që mediat italiane raportojnë se do të vijojnë edhe gjatë të dielës, ndërkohë që presidenti Mattarella ka lënë afat deri të martën për arritjen e një kompromisi, ndryshe do të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Itali.

Gjatë bisedimeve të së shtunës është cituar emri i Roberto Fico si i mundshëm për postin e kryeministrit. Roberto Fico aktualisht mban detyrën e Kryetarit të Dhomës së Deputetëve. Por TGcom.it raporton të dielën se Fico do të vazhdojë ta kryej me përgjegjësi këtë detyrë, duke tërhequr në këtë mënyrë mundësinë e paraqitur nga Partia Demokratike që ai të bëhet Kryeministër. Ndërsa koha për negociata është drejt fundit dhe kërkohet medoemos një marrëveshje mes PD dhe 5 Yjeve, ekziston mundësia e një  qeverie të dytë me kryeministër Conte. Por ai ka vendosur kushte.

“Për sa më përket mua, sezoni me Ligën është mbyllur dhe nuk do të rihapet”, është shprehur Conte. Mesazhi është i qartë: Unë jam i disponueshëm për një “Conte bis”, por ne patjetër duhet t’i mbyllim derën e Salvini.

Duket se ky propozim i fundit vijon ende të negociohet në tryezë, ndërkohë që presidenti Sergio Mattarella ishte i qartë kur tha se zgjidhja duhet gjendur brenda një kohe të shkurtër dhe të martën ai kërkon përgjigje të qarta nga partitë politike.



Skip to toolbar