Italia në krizë pas dorëheqjes së Contes. Presidenti, afat deri të martën, ose zgjedhje të reja

AKTUALITET


Presidenti italian, Sergio Mattarella pas dy ditë konsultash me krerët e grupeve parlamentare ka vendosur t’i japë atyre afat deri të martën për të arritur një marrëveshje për një koalicion qeverisës. Ndryshe thotë, Mattarella do të vendosë datën për zgjedhje të parakohshme.

Italia është futur së fundi në një krizë qeverisje pas dorëheqjes së kryeministrit Conte.


Aktualisht presidenti Sergio Mattarella shpreson në arritjen e një marrëveshje për një koalicion qeverisës mes Luigi Di Maio dhe Nicola Zingaretti. Nëse kjo nuk arrihet deri të martën, Italia do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Kriza duhet të zgjidhet me vendime të qarta dhe brenda një kohe të shkurtër”, është shprehur  Sergio Mattarella, i cili nuk ka fshehur vështirësitë që ekzistojnë në qeverisjen e vendit si dhe rreziqet e një zgjatje të krizës.  “Me dorëheqjen e Conte, të cilin e falënderoj, kriza është hapur dhe ka një diskutim mes palëve. Kriza duhet të zgjidhet në një afat të shkurtër ashtu siç kërkon një vend i shkëlqyer si i yni”, tha presidenti në një fjalim të transmetuar në të gjitha kanalet kryesore televizive.

Kreu i shtetit i ka dhënë 4 ditë afat PD dhe partisë Pesë Yje për të arritur një marrëveshje dhe thotë se nëse qeveria e re nuk do të marrë votimin nga parlamenti atëherë ai do të caktojë datën e zgjedhjeve.

“Vetëm qeveritë që marrin besimin e Parlamentit për një program qeverisës vazhdojnë përpara. Por nëse kjo nuk arrihet, rruga është ajo e zgjedhjeve”, tha Mattarella.

Kjo është arsyeja pse Zingaretti dhe Di Maio e dinë që këto ditë duhet të punojnë shumë dhe të tregojnë një sens përgjegjësie dhe gjithashtu e dinë se presidenti dëshiron që emri i kryeministrit të emërohet deri të martën.

Tre ditë më herët kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte gjatë një fjalimi i cili zgjati rreth 1 orë në parlamenti, bëri të ditur vendimin e tij për t’u dorëhequr nga posti, ndërsa hodhi akuza ndaj ministrit të brendshëm Salvinit, me të cilin ka pasur shumë mosmarrëveshje.




Skip to toolbar