Kryemadhi te Glover, i dorëzon shkeljet e 30 qershorit

Më të fundit


Shefja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover ka zhvilluar ditën e mërkurë një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Në takim Kryemadhi i ka paraqitur shefes së misionit OSBE/ODIHR, Glover një dosje të plotë ku sipas LSI janë paraqitur të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor për votimet e kryera më 30 qershor.

Kryemadhi i ka cilësuar votimet e 30 qershorit si maskarada më e madhe e këtyre 29 viteve pluralizëm, por cilëson se kjo do të jetë e fundit. Kryemadhi tha se është turp për klasën politike, që pas gati 3 dekadash demokraci ende diskutohet për procese zgjedhore aspak demokratike dhe në shkelje të ligjit.

 “I dorëzova asaj një dosje voluminoze me të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për votimet moniste të 30 qershorit. Është shumë e rëndë për demokracinë shqiptare dhe turp për klasën politiken që 29 vite pas vendosjes së demokracisë pluraliste, vazhdojmë flasim për pamundësi mbajtjesh së proceseve zgjedhore në respekt të ligjit. Akoma nuk kemi një proces zgjedhor ku qytetarët të votojnë të lirë e në mënyrë të fshehtë pa ndikimin e krimit të organizuar dhe intimidimin e tyre me bukën e gojës apo vendin e punës, si dhe ku rezultati në reflektimin e vullnetit real të qytetarëve të jetë i gjithëpranuar nga palët. Votimet farsë të 30 qershorit ishin maskarada më e madhe, por besoj edhe e fundit! Shqipëria do ketë zgjedhje demokratike, sipas parimeve europiane, nga të cilat do dalin përfaqësues që do rivendosin shtetin e së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë në rrugën e duhur”, tha Kryemadhi.

Takimi i Glover me Kryemadhin, vjen një ditë pas takimit me liderin e PD-së, Lulzim Basha. Edhe pse PD, LSI dhe aleatët e tjerë të opozitës nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, Glover ka vendosur të zhvillojë takime me drejtuesit e opozitës si para ashtu edhe pas 30 qershorit.

Më herët Glover ka deklaruar se ajo do të mbajë shënim të gjitha pretendimet e partive të ndryshme mbi zgjedhjet e 30 qershorit dhe do t’i pasqyrojë ato në raportin përfundimtar të OSBE.



Skip to toolbar