Vranë specialin e RENEA në Lazarat, esktradohet nga SHBA

AKTUALITET


Paraditen e të mërkurës është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 22-vjeçari Ruhan Hiraj, i akuzuar si pjesëtar i grupit të strukturar kriminal të 24 qershorit 2015, ku gjatë aksionit të policisë në Lazarat, mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha.

Esktradimi i 22-vjeçarit është bërë pasi ndaj tij rëndojnë disa akuza për pjesëmarrjen në grupin kriminal të ngjarjes së Lazaratit, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, në vitin 2018, e ka dënuar këtë person me 15 vjet burg për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit publik me Dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi i armëve luftarake“, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në bandën e armatosur”.


Në datë 24.06.2015, në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër, shtetasi Ruhan Hiraj në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë të repartit “Renea”, të cilët kanë qenë brenda në automjetin e policisë në vendin e quajtur “Pularia”.

Si pasojë e këtyre të shtënave, ka mbetur i vrarë brenda në automjetin e policisë, punonjësi i Policisë Ibrahim Basha (tashmë dëshmor i atdheut), si dhe janë plagosur punonjësit e policisë, J. I. dhe P. H. Ky ka qenë  një operacion i madh ndërkombëtar, ku janë përfshirë disa institucione ligjzbatuese në Shqipëri, Itali dhe SHBA, për të cilat, Policia e Shtetit ka shprehur falënderimin.

Pas deportimit nga SHBA i të akuzuarit Ruhan Hiraj për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat, avokati i tij kanë dalë në një konferencë për shtyp për të mbrojtur klientin. Avokati i Ruhan Hirajt, Bashkim Nikolla ka deklaruar se klienti i tij nuk është vrasës ashtu siç u tha por thjesht një person që është përfshirë nga hetimet dhe se nuk ka lidhje me vrasjen e efektivit të RENEA-s në  24.06.2015. Avokat Nikolla ka thënë se në momentin kur ka ndodhur vrasja e Ibrahim Bashës, klienti i tij ishte në Tiranë me familjen dhe nuk ka pasur se si të ishte ai i përfshirë në grupin e zjarrit që qëlluan ndaj forcave RENEA. Në fund Bashkim Nikolla ka deklaruar se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje dhe se ka besim të plotë se Gjykata e Lartë pas ringritjes do t’i japë të drejtë klientit të tij.




Skip to toolbar