Presidenti Ilir Meta ka thumbuar keq sot Ramën dhe Thaçin teksa ka folur për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i ka quajtur delirantë ata politikanë që flasin për bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Madje, këto ide Meta thotë se hidhen për të shmangur problemet brenda vendit. Ai gjithashtu ka komentuar edhe deklaratën që bën shpesh Rama, që Kosova dhe Serbia të bëjnë një marrëveshje ashtu siç bëri pas Luftës, Franca dhe Gjermania.
“Nuk ka komb në Ballkan që ka përfituar më shumë nga rënia e perdes së hekurt. Ne atë kohë ishim si Korea e Veriut. Dëgjojmë pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Por pse të mos bashkohen të gjithë serbët, kroatët, boshnjakët dhe këto delirime gjoja patriotike më shumë sesa folklorizëm janë diabolizëm i gjallë.
Është përpjekje e politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaria e brendshme për të larguar vëmendjen e opinionit. E bëjnë si në volejboll, njëri pason dhe tjetri zhyt dhe cfarë ndodh? Ikin të rinjtë. Dëgjojmë që serbët dhe shqiptarët janë popujt kryesorë të rajonit, është tjetër të thuash atë që bëri Franca me Gjermaninë që pas luftës nxorën mësime dhe është tjetër të thuash këtë të Ballkanit, pasi në Ballkan çdo popull është më i madhi, askush nuk pranon.
Nuk rivizatohen kufijtë aq kollaj. Ne e dimë sa marrëdhënie të mira janë mes Malit të Zi dhe Kosovës, por për një marrëveshje demarkacioni e dimë mirë se çfarë ndodhi. Një pakicë e vogël e bllokoi dhe bëhet fjalë për disa pyje që as qentë nuk jetojnë në dimër dhe jo ku jetojnë njerëz dhe ku ka varre, kisha dhe xhami e amanete. Dua të bëj të qartë, ne i kemi të gjitha mundësitë sikur e kemi treguar që të jemi faktor stabilizues. Kush thotë se do të kufizojmë me Tiranën për serbët na fton të shikojmë atë filmin që e kemi parë në Ballkan”, është shprehur Meta.
Këtë deklaratë Meta e bëri në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall dhe Ambasada Amerikane në Tiranë me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”.
Dekarata në fjalë vjen vetëm një ditë pas takimit kokë më kokë mes Thaçit dhe Ramës në Tiranë.