Drejtori për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj ka bërë të ditur se gjatë 3 muajve të fundit janë kapur në Shqipëri 1700 emigrantë të paligjshëm të cilët kanë tentuar të kalojnë transit drejt BE-së, ndërkohë që 13 persona janë ndaluar si të dyshuar për akte terroriste.
“Në total janë kapur rreth 1700 shtetas të huaj, emigrantë të parregullt të cilët kanë tentuar të hyjnë në Republikën e Shqipërisë. Nga ky numër, rreth 85% e tyre janë pajisur me urdhëra largimi vullnetar, ndërsa pjesa tjetër i janë nënshtruar të gjitha detyrimeve ligjore përsa i përket marrjes së azilit në Shqipëri. Ata kanë aplikuar për azil që në momentin e parë që janë kapur, deri në marrjen e një përgjigje positive apo negative, për këta shtetas që kanë aplikuar, këta shtetas trajtohen në qendrën e azilkërkimit në Babrru. Rreth 13 shtetas të huaj prej tyre janë dërguar në qendrën e mbyllur të Karrecit, pasi nuk kanë pasur dokumentacionin për identifikim”, është shprehur Merkaj në një intervistë për Report TV.
Merkaj shprehet se vendi që mban numrin më të lartë për kapjen e emigrantëve të paligjshëm është Korça, qytet ky i përdorur më së shumti si rrugë tranziti për ta.
“Kufiri i gjelbër, i cili është më i “frekuentuar” nga emigrantët të cilët tentojnë për të hyrë në Republikën e Shqipërisë është Korça. Atje është edhe numri më i shtuar i të kapurve që është bërë nga ana e FRONTEX-it dhe punonjësve të Policisë Kufitare, rreth 1300 shtetas”, shprehet Eduart Merkaj.
Drejtori për Kufirin dhe Migracionin tregon edhe arritjet më të mëdha që ka sjellë bashkëpunimi me FRONTEX.
“Është rritur në mënyrë të ndjeshme kapja e shtetasve, e emigrantëve që vijnë nga vendet në konflikt, si Siria, Iraku dhe Pakistani. Është rritur me 250% kapja e këtyre shtetasve në vijën kufitare. Pozitivitet tjetër është se jo vetëm emigrantët, por edhe veprat penale të cilat janë evidentuar gjatë kësaj periudhe për kufirin e gjelbër janë pozitive, siç është rasti i Gjirokastrës, ku persona të ndryshëm kanë tentuar të sjellin mjete motorrike të vjedhura nga Greqia”, thekson Merkaj.
Që prej muajit Maj, 50 oficerë të FRONTEX-it u vendosen në kufirin e gjelbër Shqipëri-Greqi, ku nisën kontrollet në bashkëpunim me efektivë të policisë shqiptare.