Kajmaku rrëzon PD: Po shpifni për të ndotur figurën time

POLITIKË


Akuzat për dënim dhe dëbim nga shteti grek, kryebashkiaku i ri i Vorës i ka cilësuar false dhe shpifje për ta sulmuar atë politikisht. Agim Kajmaku tha se këto sulme janë të nxitura politikisht për ndotjen e figurës së kundërshtarit, por të akuzuarit do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe fton PD që t’i drejtohet drejtësisë me provat e pretenduara.

 “Sapo jam njohur me një tekst letre të publikuar nga PD, ku pretendohet se unë jam dënuar dhe dëbuar nga shteti grek. Me përgjegjësi ligjore dhe morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qenë udhëtues i shpeshtë dhe korrekt në shumë vende të BE, për llogari të biznesit tim familjar. Autorët dhe akuzuesit publikë që shpifin ndaj personit tim, për një qëllim të vetëm, atë të ndotjes politike të kundërshtarit, do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes së provave të pretenduara.”- u shpreh Kajmaku për News 24.


Gjatë të enjtes, Partia Demokratike tha se i është drejtuar prokurorisë për të verifikuar pastërtitë e figurës së Kajmakut, pasi ai preket nga ligji i dekriminalizimit. Sipas PD, kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka qenë i arrestuar dhe dëbuar nga shteti grek dhe kjo është fshehur në deklarimin e formularin e dekriminalizimit. Si provë për këtë PD paraqiti sistemin TIMS ku për 12 vite, Kajmaku nuk ka shkelur më në shtetin grek, në të cilin ka jetuar për 5 vite.

“Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”,- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut.




Skip to toolbar