Policia e Kukësit finalizoi operacionin “Kopshti
i Skacajve”, duke arrestuar në flagrancë 4 shtetas. Sipas një njoftimi zyrtar,
policia tregon se sekuestroi gjatë këtij operacioni një arsenal armësh e
municionesh, drogë dhe dy mjete që përdoreshin nga personat e arrestuar. Katër shtetasit
e arrestuar janë personat me inicialet: A. H., 33 vjeç, R. T., 23 vjeç, banues
në Pukë, K. M., 25 vjeçe dhe F. M., 19 vjeç, banues në Shemri, Kukës.
Në bazë të hetimeve të kryera rezultoi se
këta shtetas do të këmbenin një sasi lënde narkotike, armatim dhe municion
luftarak. Shërbimet e Policisë të DVP Kukës
kanë ndërhyrë në vendin e quajtur “Qafë-Shllak” dhe bën të mundur
ndalimin e këtyre shtetasve, të cilët lëviznin me mjetet tip “Benz”
dhe “Opel”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në automjetet e tyre u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike, 2 armë tip automatik, si dhe rreth 900 fishekë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.